Erjon Braçe do të jetë numri dy i qeverisë, ndërsa do të zëvendësojë në këtë post Senida Mesin. Ai lindi në Tiranë, më 2 prill të vitit 1972. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë, dega Financë. Veprimtaria profesionale e tij është e lidhur me gazetarinë.
Ka qenë gazetar tek “Zëri i Popullit” në vitet 1993-1997. Në vitet 1998-2007 ka qenë kryeredaktor i “Zërit të Popullit”.
Karriera e tij politike në Partinë Socialiste është e hershme, ndërsa mund të thuhet se është zëri më opozitar brenda PS.
Në vitin 1994 ka qenë anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste. Në vitet 1997-2001 ka qenë anëtar i Komisionit për Ekonominë, Financën dhe Privatizimin. Braçe është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë në gjashtë legjislatura dhe aktualisht është kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Veprimtaria politike:
1994 – Anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PS-së, Zëvendëskryetar i FRESSH-it. 1997-2001: Anëtar i Komisionit për Ekonominë, Financën dhe Privatizimin.
Maj 2006 – korrik 2006: Anëtar i Komisionit Hetimor për Çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Kryetar i komisioni Hetimor “Për hetimin e shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit në dispozicion të ministrive, institucioneve kryesore të varësisë dhe ndërmarrjeve publike nëpërmjet prokurimeve publike për periudhën 2001 e në vijim”.
Zgjedhur në Legjislaturat: III, IV, V, VI, VII, VIII Qarku: Fier