Inxhinieri dhe ish-studenti i dhjetorit, Arben Meçe, zbulon detaje në 32-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike.
Nga studio e MCN Live ai tha se dikush e lidh me datën 8 dhjetor, por në datë 8 dhjetor pati një lëvizje studentore për nevoja ekonomike.
Sipas tij, 8 dhjetori është dita kur u shkëput totalisht energjia elektrike për prishjen e gjeneratorit në Qytetin Studenti dhe kur një masë studentësh dolën në protestë për dritat dhe në datë 9 dhjetor u rritën më tej, ndërsa në 10 dhjetor u shtuan kërkesat edhe të karakterit politik me kërkesa më të qarta.
Meçe tregoi se në datën 10 dhjetor në darkë u la objektiv që të gjithë fakultetet pa përjashtim të përfaqësohen nga një grup prej 4 vetësh, pasi në darkën e 11 dhjetorit do shkonte një grup te Ramiz Alia.
Në vijim detajoi se deri në datë 10 dhjetor kishte një grup studentësh dhe në datën 11 dhjetor, në orën 10.00 të mëngjesit deri në ora 14.00, te stadiumet poshtë Qytetit Studenti, fakultetet u mblodhën dhe zgjodhën përfaqësuesit e tyre.
Më futën dhe mua si pedagog, më integruan në grupin përfaqësues të studentëve të inxhinierisë.
Ky grup u mblodh në godinën 15, në katin e poshtëm dhe aty fillon skema më e plotë organizative që drejtohej nga Azem Hajdari se cilat do ishin kërkesat që do paraqiteshim te Ramiz Alia.
Tentuan të infiltrohen dy persona Gramoz Pashko dhe Sali Berisha, brenda sallës ishin vetëm përfaqësues të universiteteve nga 4-5. Tentativat për t’u futur brenda u ndaluan.
Gjithçka ishte lëvizje e brendshme nën drejtimin e Azem Hajdarit. Ishin edhe 4 pedagogë, unë, Mond Budina, Arben Imami dhe Zef Brozi, i cili vjen më vonë.
Ishte lëvizje e paqartë në procesin e vetë, një grup studentësh, përfshi dhe ne pedagogët që nuk e dinim çfarë ishte politika.
Nga një lëvizje spontane që lindi në 8 dhjetor, mori formatin e një lëvizje. Nuk ishte lëvizje studentore, ishte protestë studentore, kishte një dirigjim asokohe të panjohur për mua.
Jemi në një moment kur zhvillimet në Europën Lindore e kishin lënë Shqipërinë në fund. Ishim pjesë integrale e një procesi që kishte lindur dhe do përfundonte siç përfundoi.
Ramiz Alia ishte nisur të bënte një liberalizim të kontrolluar të procesit të hapjes së Shqipërisë.
Po prodhoheshin disa grupime profesionale, duke u quajtur pluralizëm që nuk ishte real.
Ramiz Alia bëri takim me intelektualët e Tiranës, ku u kërkonte se si duhej vepruar. Deri në këtë moment kishte vepruar me pluralizmin e mendimit dhe jo pluralizmit politik.
Në këtë mbledhje dhe ata persona që folën ishte për pluralizëm të mendimit, një ndër ta ishte dhe Sali Berisha. Ramiz Alia kërkoi të drejtohej drejt pluralizmit politik.
Në gjithë takimin në 11 dhjetor nga ora 10-30 deri nga ora 13.00, grupi që do takonim Ramiz Alinë, dolëm me kërkesën për pluralizëm politik.
Dolëm me idenë që do kërkonim pluralizëm politik. Diku në orën 6-7 në darkë u mblodhëm para Qytetit Studenti.
Kemi hipur në autobus dhe në të janë futur dhe persona të tjerë që nuk ishin të deleguar.
Kemi vajtur te Ramiz Alia dhe pasi kishte mësuar kërkesën për pluralizëm, e kishte ideuar përgjigjën, por përsëri bëri rezistencë. Njëri nga ata që e kërkoi kam qenë unë.
Në gjithë historinë e aktivitetit politik Arben Meçe në PD nuk ka asgjë, është zhdukur çdo dokument.
Kërkesa ime ka qenë e prerë, për t’i dhënë fund asaj paçavure bisede që nuk kishte asgjë dhe tentativës së Ramiz Alisë, për ta mbajtur edhe kërkesën tonë tek pluralizmi i mendimit.
Ne i thërrisnim shoku Ramiz, dhe mendonim se do e kishim në krahë të procesit reformator.
Me tu kthyer nga Ramiz Alia, turma në shesh e kishte ulur ritmin se ishte thënë që u arrit pluralizmi. Arben Imami ka mbajtur një fjalim.
Një trup me 7 vetësh, Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Preç Zogaj, Arben Imami, Arben Hajdari, Mond Budina dhe Arben Meçe, u mblodhëm në katin e dytë të godinës në hyrje të Qytetit Studenti.
Çunat e inxhinierisë kanë qenë aty. Në katin e parë kanë qenë studentët.
Aty u bë debat si do vazhdojnë, Azemi kërkonte parti studentësh, Gramoz Pashko kërkonte parti intelektualësh dhe Sali Berisha ishte i fundit që kërkoi Parti Demokratike.
Ka qenë data 11 dhjetor, ora 11 deri në 12 të natës. Duke qenë se u prodhua një bërthamë, mu la detyra të rrija në shesh dhe të garantonim procesin.
Ndërkohë gjithë përfaqësia kanë shkuar te shtëpia e Gramoz Pashkos, ku u punua gjithë ditën deri në shpalljen e programit në darkë.
Shpallja e Partisë Demokratike në mënyrë publike është bërë në darkën e datës 12 dhjetor, ku u bë një miting madhështor në Qytet Studenti.
Ngjarja është një dhe e vetme, në 11 u shkua te Ramiz Alia, në darkë në ora 11.00-12.00 u përcaktua si do jetë emri, të nesërmen te shtëpia e Gramoz Pashkos u bë programi, dhe në darkë u shpall partia.
Mitingu u bë në një terror psikologjik organet e policisë më takojnë mua se isha ngarkuar për sigurinë.
Më vjen punonjësi i policisë dhe thanë se në turmë ka një person dhe ka përpjekje për të vrarë Sali Berishën.
Kemi vendosur studentët rreth e rrotull që mbuluan tribunën ku ishte ai.
Mbas mitingut në mensën e Qytetit Studenti, kemi ndenjur deri në 2-3 të natës se ekzistonte rreziku për personin që do vritej.