Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se sanksionet e perëndimit kundër Rusisë nuk do të shfuqizohen, derisa sovraniteti i Ukrainës të respektohet plotësisht.
“Derisa të bëhet përparim në këtë drejtim, sanksionet nuk mund të shfuqizohen. Ato mund të hiqen vetëm nëse Krimeja i kthehet Ukrainës”, tha Merkel.
Pas takimit me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, Merkel tha se ata gjithashtu diskutuan marrëveshjen e paqes të arritur në Minsk.
Presidenti i Ukrainës, një ditë më parë, gjatë takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të mos lehtësojnë presionin ndaj Moskës.
BE-ja ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke përfshirë ngrirje të aseteve dhe bllokim të marrjes së vizave për individë dhe entitete ruse, pasi Moska ka pushtuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina më 2014, dhe ka mbështetur nga ajo kohë, separatistët në lindje të Ukrainës, në konfliktin që ka lënë rreth 13,000 persona të vdekur.