Merr kthesë të papritur gjyqi ndaj Adriatik Llallës…

0
76
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gjyqi ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka marrë një tjetër kthesë, teksa pritej që brenda këtij muaji, të merrej vendimi për dënimin ose jo të tij me burg, gjithçka do të kthehet në pikën zero. Ditën e djeshme, ka qenë seanca e radhës për ish-Kryeprokurorin dhe ai ka preferuar të jetë vetë prezent këtë herë, nga ku dha deklaratën që ndryshoi krejt rrjedhën që kishte marrë procesi i tij. Vetë Llalla, kërkoi gjatë fjalës së tij që të rihiqet kërkesa për gjykim të shkurtuar dhe procesi të nisë nga e para. Ndonëse më parë ai nuk ishte paraqitur në asnjë seancë, duke kërkuar shpesh përjashtimin e trupës gjykuese përmes avokatit të tij, ish-prokurori deklaroi dje se tani e tutje, procesin do ta ndjekë vetë deri në përfundim të tij.

“Gjykata do të dalë me një njoftim, çështjen do e ndjek deri në fund”, tha prerë Llalla para trupës gjykuese. Ndërkohë, nga kjo deklaratë e tij ka rënë poshtë edhe pretenca e dhënë nga SPAK, që kërkoi 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm. Në mars të këtij viti, Prokuroria e Posaçme dha pretencën për Adriatik Llallën, ku kërkoi që të dënohet me dy vite burg, si dhe për 5 vite të mos ketë të drejtë të jetë pjesë e institucioneve shtetërore. Në atë seancë, gjykata pranoi gjykimin e shkurtuar ndaj tij dhe nëse pranohej kërkesa e prokurorisë, Llalla mund të dënohej me 1.4 vite burg. Ndërsa dje pritej parashtrimi i tij për vendimet e trupës gjykuese dhe në seancën tjetër gjykata të jepte vendimin nëse Llalla do të dënohej me burg, gjobë apo me shërbim prove. Por, pikërisht ardhja e tij në seancë dhe më pas deklarata që bëri për tërheqjen e gjykimit të shkurtuar e ndryshoi këtë rrjedhë.

Fillimisht, zoti Llalla, u dyshua për të paktën katër vepra penale, që nga mosdeklarimi i pasurisë, te mosdeklarimi i të hollave në kufi, shpërdorimi i detyrës dhe pastrimi i parave. Por në përfundim të hetimeve, tre prej këtyre akuzave duket se nuk u arrit të provohen dhe gjithçka u reduktua te mosdeklarimi i pasurisë. Tashmë, Ish-Prokurori i Përgjithshëm, akuzohet për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë. Konkretisht, Llalla akuzohet për veprën penale të parashikuar nga neni 257/a, i cili parashikon: “Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.

Më 20 korrik 2018, prokurori vendosi në sekuestro preventive pasurinë e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Prokuroria në atë kohë bëri me dije se u bë sekuestrimi i një apartamenti banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës. Po ashtu në sekuestro janë vënë: tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë. Prokuroria ka dyshime se përmes këtyre pronave, ka pasur pastrim parash. Kur dosja vajti në gjykatë pronat u hoqën nga sekuestro, më pas Apeli i riktheu po në sekuestro. Në raportimet e bëra nga trupa gjykuese, ajo që bie në sy është se Llalla, ka blerë toka shumë lirë fillimisht dhe më pas ka deklaruar se i ka shitur shumë shtrenjtë.

Për shembull, në vitin 2007-të, Llalla ka deklaruar një ullishte në Bathore, blerë 1.5 milionë lekë. Në vitin 2011-të, ai e rivlerëson pronën në vlerë 21 milionë lekë të reja. Ndërsa po e njëjta pronë në vitin 2016-të, është shitur 249 mijë euro. Po ashtu ndryshime në vlerë, ka pasur dhe për apartamentin në Durrës, tani i sekuestruar. Ai është blerë në Mars të vitit 2012-të, në vlerën 2.2 milionë lekë të reja, ndërsa në Prill po të vitit 2012-të, ai e ka rivlerësuar në rreth 5 milionë lekë të reja.

 

Zjarr Tv Ad