Ilir Meta ka marrë pjesë në një miting elektoral në qytetin e Lushnjes ku ka sulmuar ashpër kryeministrin Rama.
Sipas tij, Rama është një timonier i lodhur, që e ka mendjen te karrigia e tij dhe nuk mendon për popullin që kërkon largohet.
Presidenti i zgjedhur Ilir Meta tha nga Lushnja se karteli i kanabisit kërkon të trembë njerëzit e punësuar në shtet për të mbrojtur shushunjat e koncesioneve.
‘Forcë e parë, forcë e paparë është LSI-ja, është rinia. Erdhi fundi i kartelit të kanabisit dhe të krimit që kërkon të trembë njerëzit që janë në punë në zyrat e shtetit për të mbajtur karriget e shushunjave të koncesioneve.
Njerëzit duan të ikin nga Shqipëria siç thoshte dhe Gallup, sepse siç shkruante Dritëro Agolli, në vitin ’94 kur Saliu i parë u çmend dhe donte të bënte një Kushtetutë që të merrte edhe ai një tepsi dhe një kusi të madhe për vete, Dritëroi para referendumit shkruajti ca fjalë të thjeshta që i kuptuan të gjithë; ‘në vendin tim, në vendin tënd një kokë e çmendur të gjithë po i çmend’.
I bëj thirrje 600 mijë të rinjve në Shqipëri që të mos u shkoj mendja të largohen nga Shqipëria. Por jo vetëm, por të rikonfirmojnë votën për LSI-më forcë e parë. 1 milion shuplaka duhen kundër gjithë oligarkisë. 1 milion shuplaka duhen kundër oligarkisë në mënyrë që të kenë shanse gjithë të rinjtë e Lushnjës dhe gjithë Shqipërisë.
Dy ish-emigrantë të cilët duan të përzënë të gjithë shqiptarët nga Shqipëria për llogari të oligarkëve, të cilët i detyruan të bëjnë një marrëveshje kundër zgjedhjeve, për të vazhduar të marrin si shushunja prej koncesioneve që kanë shëndetësia tek burimet natyrore. 56 për qind e shqiptarëve duan të ikin. Le të kthehen këta në emigracion.
Nuk mund të bëjnë shtet ata që u janë nënshtruar interesave të disa oligarkëve të pashpirt. Nuk mund të fajësojnë LSI-në për financimet, pasi ata ishin në qeveri që i caktonin në kundërshtim të qëndrimit publik të LSI, i caktonin bujqësisë subvencione sa 1 e 5-ta e Kosovës, sepse fondet i çuan për palmat që janë tharë, për palmat më të shtrenjta në botë. Fondet i çuan për kulla të shëmtuara që kanë shkatërruar Korçën. Nuk kishin hallin e bujqësisë, por vetëm hallin e tepsisë.’ – tha Meta.