Ashtu siç premtoi Presidenti i Republikës ka vendosur të bëjë publike çdo veprimtari, qëndrim, deklaratë apo dhe propozim të tijin.
Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka drejtuar Kryetarit të Kuvendit z.Gramoz Ruci një letër mbi propozimin e zotit Arben Shehu për t’u zgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në këtë letër Kreu i Shtetit denoncon, presionet siç shprehet ai të maxhorancës për të propozuar një kandidaturë nga ato që kërkon prej kohësh. Në këtë rast i referohet projektligjit të maxhorancës për të emëruar një zv.kryetar të KLSH-së.
“Deri tani jam vënë para faktit të kryer të rrëzimit të propozimeve për tre kandidatura radhazi për në KLSH. Të tre këto kandidatura përmbushnin kriteret ligjore dhe gëzonin përvojë të gjerë profesionale. Nisi fushatë në media për miratimin e një projektligji, për emërimin e Zv/Kryetarit të KLSH. Kjo fushatë ka për qëllim ushtrimin e presionit politik ndaj Presidentit. Presion politik për të propozuar një kandidaturë nga ato që kërkon prej kohësh mazhoranca. Ky veprim i Kuvendit tregon mungesë vullneti për bashkëpunim me Presidenti. E njëjta qasje e Kuvendit si gjatë procesit të emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Nëse vijohet në drejtimin për kapjen e institucioneve të pavarura, tregues se 3 kandidatët për KLSH u rrëzuan pa të drejtë”, shkruan Meta.
Më tej Presidenti vlerëson kandidaturën e propozuar prej tij të Arben Shehut.
“Dr.Arben Shehu është kandidat shumë i përshtatshëm, me përvojë, profesionalizëm dhe me dinjitet. Ai është diplomuar jurist dhe është një ndër njohësit më të mirë të së drejtës penale.
Dr. Shehu është gjithashtu i diplomuar edhe në fushën e administrimit të biznesit, me një përvojë të gjatë akademike, kërkime dhe shkrime shkencore
Kuvendi i Shqipërisë do ta shqyrtojë këtë kandidaturë brenda këtij sesioni parlamentar, me objektivitet dhe me përgjegjshmëri”, shkruan më tej Meta.
Kreu i Shtetit ka një apel edhe për kreun në detyrë të KLSH Bujar Leskaj.
“I kam kërkuar kryetarit të KLSH z.Bujar Leskaj të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjet e kryetarit të ri.
Bujar Leskaj të mos i bindet asnjë urdhri për uzurpimin e këtij pozicioni kushtetues”, shprehet Meta.
LETRA E PLOTË
KRYETARIT TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
ZOTIT GRAMOZ RUÇI
DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
T I R A N Ë
I nderuar Kryetar,
Të nderuar deputetë,
Siç dhe jeni në dijeni, Presidenti i Republikës, në ushtrim të rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, si dhe në mbështetje të nenit 162, pika 2, të Kushtetutës, dhe të ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, për plotësimin e vendit vakant të krijuar nga përfundimi mandatit të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit zotit Bujar Leskaj, ka respektuar me përgjegjshmëri maksimale detyrimet kushtetuese dhe ka propozuar deri më tani tre kandidatura për t’u zgjedhur në këtë pozicion, kandidatura këto mjaft dinjitoze dhe të kualifikuara që garantonin pavarësinë e këtij organi. Për fat të keq të tre këto kandidatura nuk janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Konkretisht:
1. Në përputhje me afatet e parashikuara në ligjin nr. 154/2014, Presidenti i Republikës, me Dekretin nr. 10929, datë 05.11.2018, i propozoi Kuvendit të Shqipërisë që zonja Vitore Tusha, të zgjidhet në detyrën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Kuvendi i Shqipërisë, pasi shqyrtoi këtë propozim me Vendimin nr.126, datë 20.12.2018, vendosi: “Mosmiratimin e kandidaturës së zonjës Vitore Tusha dhe rrëzimin e dekretit nr. 10929, datë 05.11.2018 të Presidentit të Republikës “Për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”. Ky vendim është përcjellë nga Kuvendi në Institucionin e Presidentit të Republikës me shkresë nr.3553/2 prot, datë 24.12.2018.
2. Pasi ky propozim nuk u miratua nga Kuvendi, Presidenti i Republikës. sërish në ushtrim të kompetencave të tij, me Dekretin nr. 11063, datë 19.01.2019 i propozoi Kuvendit të Shqipërisë kandidaturën e zotit Bahri Shaqiri për t’u zgjedhur në pozicionin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Kuvendi i Shqipërisë, me Vendimin nr. 25, datë 31.01.2019, vendosi: “Mosmiratimin e kandidaturës të zotit Bahri Shaqiri dhe rrëzimin e dekretit nr. 11063, datë 19.01.2019 të Presidentit të Republikës “Për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”.
Ky vendim është përcjellë nga Kuvendi me shkresën nr. 234/1 prot., datë 01.02.2019 në Institucionin e Presidentit të Republikës.
3. Sërish Presidenti i Republikës, me Dekretin nr. 11229, datë 17.07.2019 i propozoi Kuvendit të Shqipërisë që zoti Petraq Milo të zgjidhet në pozicionin kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Kuvendi i Shqipërisë, me Vendimin nr. 94, datë 12.9.2019, vendosi: “Mosmiratimin e kandidaturës të zotit Petraq Milo dhe rrëzimin e dekretit nr. 11229, datë 17.7.2019 të Presidentit të Republikës “Për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”.
Presidenti i Republikës, pavarësisht se i ka lexuar me vëmendje e në mënyrë të përsëritur sugjerimet dhe mendimet e shprehura në mënyrë publike nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri më tani është vënë para faktit të kryer të rrëzimit të propozimeve për tre kandidatura radhazi, pavarësisht se të tre këto kandidatura përmbushnin kriteret ligjore dhe gëzonin përvojë të gjerë profesionale.
Presidenti i Republikës u njoh gjithashtu edhe me letrën nr. 1358 prot, datë 26 maj 2020 të Kryetarit të Kuvendit, përmes së cilës i kërkohet Presidentit të propozojë kandidaturën e re për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Është për t’u evidentuar se letra e Kryetarit të Kuvendit është shoqëruar me një fushatë publiciteti në media nga Kuvendi mbi nismën ligjore që ky i fundit do të ndërmarrë për miratimin e një projektligji, përmes të cilit do të bëhet i mundur emërimi me ligj i një Zëvendëskryetari të KLSH-së, duke e justifikuar këtë si zhbllokim të situatës.
Është e qartë se e gjithë kjo veprimtari, e shoqëruar me këtë fushatë publiciteti, ka për qëllim ushtrimin e presionit politik ndaj Presidentit të Republikës me qëllim që të propozojë për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit një kandidaturë nga ato që kërkon prej kohësh mazhoranca.
Ky veprim i Kuvendit tregon mungesë vullneti për bashkëpunim me Presidentin e Republikës dhe reflekton të njëjtën qasje të legjislativit të shfaqur përgjatë procesit të emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku përmes miratimit të ligjit antikushtetues nr. 14/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”, u synua që t’i rrëmbehej kompetenca kushtetuese Presidentit për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetues, drejtpërdrejtë me ligj me efekt prapaveprues.
Ky ligj u kthye për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës dhe gjithashtu është kritikuar në të gjitha draft-opinionet që Komisioni i Venecias ka hartuar për trajtimin e kësaj çështje të kërkuar nga vetë Kuvendi i Shqipërisë më 30 dhjetor 2019.
Presidenti i Republikës sjell në vëmendje se Kuvendi i Shqipërisë, si organi më i lartë që monitoron punën, veprimtarinë e organeve kushtetuese dhe ecurinë e zbatimit të ligjeve të miratuara prej tij, ka përgjegjësinë kryesore për gjendjen ku ndodhet vendi, ku Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale prej më shumë se dy vitesh, Gjykata e Lartë nuk është funksionale, si dhe e gjithë ecuria e zbatimit të reformës në sistemin e drejtësisë është në shkelje të të gjitha afateve kushtetuese.
Ndaj çdo veprimtari e mëtejshme nën këtë drejtim me paraqitje nismash legjislative, me qëllim kapjen e institucioneve të pavaruara apo ushtrimin e presionit politik ndaj institucioneve të tjera, nuk bën gjë tjetër veçse provon faktin që tre kandidaturat e mëparshme të propozuara nga Presidenti i Republikës, janë rrëzuar pa të drejtë nga Kuvendi, me qëllim që të propozohet një kandidaturë që gëzon mbështetjen e mazhorancës në mënyrë që mazhoranca të kontrollojë po veten e saj?!
Presidenti i Republikës ka detyrimin kushtetues që përgjatë veprimtarisë dhe ushtrimit të funksioneve të tij, të sigurojë që mekanizmat kushtetues të funksionojnë dhe institucionet kushtetuese të këtij niveli të vazhdojnë veprimtarinë në mënyrë të pavarur dhe në respekt të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parime këto që qëndrojnë në themel të shtetit të së drejtës.
Në këtë mënyrë, Presidenti i Republikës vlerëson me shumë kujdes integritetin e kandidaturës së propozuar, në mënyrë që Kontrolli i Lartë i Shtetit të funksionojë në mënyrë të pavarur e të pandikuar politikisht.
Për këtë arsye, është me rëndësi si përmbushja e kërkesave ligjore për zgjedhjen në këtë pozicion kushtetues, por dhe përzgjedhja e një kandidature që ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin e këtij funksioni shumë të rëndësishëm në mënyrë të pavarur.
Presidenti i Republikës i risjell në vëmendje Kuvendit të Shqipërisë se mosplotësimi i pozicionit të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rrezikon të çojë në cenim të ekuilibrit institucional të këtij organi kushtetues me përgjegjësi jetësore për financat publike.
Veçanërisht kur bëhet fjalë për institucionin kushtetues më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar, secili institucion që ka atributet e tij në procesin e emërimit të drejtuesit të këtij institucioni, ka përgjegjësinë që të përmbushë detyrën në respektim të Kushtetutës.
Ndaj është momenti që Kuvendi i Shqipërisë të vlerësojë jashtë interesit politik, diskutimin dhe shqyrtimin e kandidaturës së propozuar për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Presidenti i Republikës është njohur me shprehjen e interesit të Dr. Arben Shehu, dhe pas shqyrtimit të kandidaturës së tij, vlerëson se Dr. Arben Shehu është kandidat shumë i përshtatshëm dhe me përvojë për të përmbushur me profesionalizëm dhe me dinjitet këtë detyrë tepër të rëndësishme kushtetuese.
Profili i tij si njohës shumë i mirë i legjislacionit, veçanërisht atij penal, njohuritë dhe certifikimet në fushën ekonomike dhe përvoja akademike e profesionale 16-vjeçare, e bëjnë këtë kandidat të përshtatshëm për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një institucion që ka nevojë për një qasje të re në ushtrimin e funksioneve për kontrollin e përdorimit të pasurisë publike dhe vënien para përgjegjësisë të abuzuesve me to.
Bazuar në këtë bindje, mbi karakteristikat që duhet të ketë drejtuesi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, mbështetur në faktin që kandidatura e Dr. Arben Shehu plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, vlerësimi i karrierës dhe aftësive të tij profesionale në raport me përgjegjësitë që duhet të ushtrojë sipas ligjit, me Dekretin nr.11498 , datë 4.6.2020, vendosa t’i propozoj Kuvendit të Shqipërisë që Dr. Arben Shehu të zgjidhet në pozicionin kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Dr. Arben Shehu është diplomuar jurist dhe është një ndër njohësit më të mirë të së drejtës penale. Dr. Shehu është gjithashtu i diplomuar edhe në fushën e administrimit të biznesit, me një përvojë të gjatë akademike, kërkime dhe shkrime shkencore, por edhe përvojë të spikatur në zbatimin e ligjit, si ushtrues aktiv edhe i profesionit të avokatisë.
Shpresoj se Kuvendi i Shqipërisë do ta shqyrtojë këtë kandidaturë brenda këtij sesioni parlamentar, me objektivitet dhe me përgjegjshmëri, në mënyrë që institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit të funksionojë në përmbushje të plotë të detyrave të tij kushtetuese e ligjore.
Ndërkohë po sot, i kam kërkuar Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, zotit Bujar Leskaj që të qëndrojë në lartësinë e detyrës, në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri dhe të mos i bindet asnjë urdhri për uzurpimin e këtij pozicioni kushtetues.
Bashkëlidhur gjeni Dekretin nr.11498, datë 04.06.2020, me të cilin i propozohet Kuvendit të Shqipërisë që Dr. Arben Shehu të zgjidhet në funksionin kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe dokumentacionin përkatës të dorëzuar nga Dr. Arben Shehu, administruar pranë Institucionit të Presidentit të Republikës.