Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, flet nga Shkodra ku ka ndjekur nga afër procesin e dhënies së kartës së naftës, pa akcizë për fermerët përfitues të skemës së mbështetjes me naftë, që ka nisur të zbatohet më 15 janar të këtij viti.
Dhënia e kartës për naftë pa akcizë, pa taksë qarkullimi dhe pa taksë karboni, do të thotë se për çdo fermë që kryhen procese te mekanizuara bujqësore, në çdo 100 litra naftë të nevojshme, 54-56 litra i merr falas. Por duhet që çdo fermer, të jetë i pajisur me NIPT dhe të lidhë aktivitetin e tij me një parcelë bujqësore. Sipas kësaj skeme, përfitojnë individët e shoqatat e bashkëpunimit bujqësor, që kryejnë aktivitet bujqësor dhe kanë në pronësi ose përdorim, tokë bujqësore mbi 0.4 hektarë dhe parcelë më të madhe se 0.1 hektarë.
Fermeri i parë aplikues në portalin e-albania, për kartën e naftës, është Kujtim Lamthi nga Gruemira e Malësisë së Madhe.
Ministrja Ekonomi, gjatë fjalës së saj u shpreh se; skemat mbështetëse kombëtare për bujqësinë po vazhdojnë.
“Unë ju siguroj së pari që skemat mbështetëse kombëtare për bujqësinë po vazhdojnë. Në mes të marsit do të kemi dhe rihapjen e skemës kombëtare mbështetëse, e cila do të vazhdojë të mendojë njësoj si dje, në mënyrë që të ketë një zhvillim të qëndrueshëm sektori I bujqësisë për tre drejtime dhe kemi rënë dakord se duhet të jenë prioritare gjë që është shumë e rëndësishme.
E dyta që dua të theksoj është që ne gjatë këtyre 4 viteve kemi punuar fort për ujitjen dhe për kullimin. Ujitja e Kullimi janë sërish prioritetet e qeverisë. Kemi vënë nën ujë tokën e punueshme prej 255 mijë hektarë por nuk ka mbaruar si proces sepse toka që kemi për të punuar është më shumë.
Ndaj këtë vit janë planifikuar investime për të shkuar në ujitje dhe kullim që është e rëndësishme. Përgjegjësia e ujitjes dhe kullimit ndahet midis MBZHR dhe bashkive për të cilat duhet të kemi parasysh se ne kemi decentralizuar mirëmbajtjen por i kemi dhënë mundësi dhe për ti zhvilluar me programe të veçanta.
Ajo që unë dua të forcoj besimin është që MBZHR ka vazhdimisht një zë për nevojat tuaja dhe kjo bëhet dhe falë ndërhyrjeve që ka zyra e AREB. Sepse këtu ka zyra të Ekstensionit Rajonal ku ju duhet të bashkëpunoni fort për të adresuar problemet që vijnë nga kjo zone”, ka thënë Ekonomi.
Për vitin e parë, në total ky program do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 950 milion Lekë.