Ligjvënësit britanikë kanë miratuar projektligjin që parandalon largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje, çka mund të nxisë kryeministrin britanik, Boris Johnson që të thërrasë zgjedhje të përgjithshme.
Deputetët opozitarë dhe konservatorët e zemëruar kanë miratuar projektligjin me 327 vota për dhe 299 kundër.
Ky projektligj kërkon nga kryeministri që të kërkojë shtyrje të Brexitit përtej 31 tetorit, nëse nuk arrihet një marrëveshje me BE-në.
Kryeministri Johnson ka paralajmëruar se do të kërkojë zgjedhje të reja.
Kryeministri britanik synon të largojë Britaninë nga blloku evropian me 28 anëtarë, më 31 tetor të këtij viti, edhe nëse nuk ka marrëveshje për largim.
Johnson ka thënë se bllokimi i Brexitit pa marrëveshje do të dëmtonte bisedimet për një marrëveshje të re dhe do të shkaktonte “më shumë vonesa dhe paqartësi”.
Kritikët kanë thënë se largimi i Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje mund të ketë pasoja të jashtëzakonshme për këtë shtet.
Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.