Ish e dashura e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, Deta Kokomani mohon lidhjen me zhdukjen e tij. Në një komunikim ekskluziv për emisionin ‘Pa Gjurmë’ tha se ka muaj që i ka dhënë fund historisë me të dhe e ka harruar, ndaj shprehet se fjalët e saj janë përdorur nga persona të tjerë.
Sipas Deta Kokomanit, jeta e saj vazhdon ndërsa shton se nuk ka aspak interes lidhur me fatin e Ervis Martinajt, ish bosi i lojërave të fatit që dyshohet se u pa para se të zhdukej në ambientet e një hoteli me ish-Misin. Referuar fjalëve që kanë qarkulluar në media se Ervis Martinaj shoqërohej me një vajzë tjetër dhe jo me të kur u zhduk, Deta Kokomani thotë se fjalët i janë përdorur.
“Kanë dalë online, unë s’kam dhënë intervistë, thjesht janë përdorur fjalët e mia nëpërmjet personave të tjerë. S’i kam thënë unë ato fjalë drejtpërdrejt, kupton?! Ky muhabet ka marrë përmasa shumë të mëdha kështu që nuk dua ta zgjas. Unë s’kam lidhje me zhdukjen e personit, fare. Unë i kam dhënë fund asaj historie dhe kaq. Kam jetën time. Është temë që unë e kam harruar, ka me muaj dhe thjesht mediat po e shfrytëzojnë tani për përfitimet e veta dhe unë s’dua fare.”, tha Deta Kokomani në emisionin ‘Pa Gjurmë’.
Kujtojmë se 22 vjeçarja, Sadete Kokomani, ish-miss Shqipëria, në datën 5 gusht rreth orës 17:00 është nisur me taksi nga Durrësi për në Tiranë pasi kishte komunikuar me Ervis Martinajn nëpërmjet aplikacionit ‘Telegram’ për të parë një shtëpi që do e merrte me qira.
Pasi ka parë shtëpinë 22 vjeçarja ka shkuar me taksi tek ‘Hygeia’ në Tiranë ku ka hipur tek një audi me targa të huaja.