“Mizoria e pushtetit Benetian mbërrin deri aty sa…”, këshilltarja demokrate në Bashkinë Shkodër ngre alarmin për shkarkimet nga puna: Beci ka përzënë dhe një grua me kancer

0
60
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Largimet nga puna në Shkodër, tashmë janë kthyer në një problematikë, deri më tani numërohen mbi 180 punonjës të shkarkuar për shkak të reformës së shkrirjes së disa prej drejtorive në varësi të Bashkisë.

Për këtë ka reaguar Eliona Kodra Shkreli, këshilltare e opozitës në bashki, e cila shprehet se kryebashkiaku Beci ka përzënë sipas saj, gra kryefamiljare, punonjës ku shumica prej tyre kanë mbi 20 vite punë.

Kjo e fundit ka vizituar konviktin e shkollës së muzikës “Prenkë Jakova”, i cili frekuentohet nga 16 studentë/nxënës që akomodohen këto ambiente, ku shkresa e lirimit nga puna i ka ardhur të gjithë punonjësve dhe janë lënë në punë vetëm 2 kujdestare dhe 1 roje.

Mëtej këshilltarja demokrate pretendon se nga puna është pushuar edhe një grua që vuan nga kanceri, që ka kryer ndërhyrje kirurgjikale, dhe që vijon kontrolle të vazhdueshme 6 mujore për të mbajtur nën kontroll situatën e shëndetit të saj.

“Mizoria e pushtetit Benetian mbërrin deri aty sa…”,

Reagimi i plotë nga Eliona Kodra Shkreli:

“Pashpirtësia e Bashkisë Shkodër që largon nga puna gra që vuajnë nga kanceri…
Prej nesër shumë shkodranë do mbeten pa punë për shkak të reformës së shkrirjes së disa prej institucioneve (drejtorive) në varësi të Bashkisë Shkodër, të cilën administrata Beci u mundua t’a zbuste me termin ‘ristrukturim’!
Pavarësisht termave të përdorur (ku ëmbël e ku ithët), realiteti është se shumë shkodranë janë nesër të papunë në një kohë varfërie dhe papunësie ekstreme që vuan Qarku I Shkodrës. Administrata Beci shkarkon njerëz, pa pikë logjike e mëshire, gra kryefamiljare, punonjës ku shumica prej tyre kanë mbi 20 vite punë, e shumë prej të papunëve të nesërm e në vijim janë në prag të daljes në pensionin.
Sot isha në konviktin e shkollës së muzikës “Prenkë Jakova” I cili frekuentohet nga 16 studentë/nxënës që akomodohen në ambientet e këtij konvikti. Shkresa e lirimit nga puna i ka ardhur të gjithë punonjësve dhe janë lënë në punë vetëm 2 kujdestare dhe 1 roje.
Bashkia Shkodër nuk ka menduar se kush do kujdeset për gatimin e 3 vakteve të ushqimit për nxënësit frekuentues, kush do marrë në dorëzim ushqimet për secilin vakt duke qënë se shërbimi në këtë konvikt përbëhet nga 3 turne.
Bisedova me disa nga punonjëset të cilave u kishte ardhur sot letra e lirimit nga detyra, të gjitha me eksperiencë pune mbi 20 vjeçare, të gjitha kryefamiljare që me rrogat e muajit mbajnë familjet e tyre.
Mizoria e pushtetit Benetian mbërrin deri aty sa të shkarkohet pa pikë mëshire e ndjesie, edhe një grua që vuan nga kanceri, e operuar tek të dy gjinjtë e që kryen kontrolle të vazhdueshme 6 mujore për të mbajtur nën kontroll situatën e shëndetit të saj! Po si munden të largojnë nga puna një zonjë të sëmurë, e cila ligjërisht dhe shkencërisht nuk duhet të ngarkohet me strese pasi mund të përkeqësojë gjëndjen e saj shëndetësore e madje larg qoftë mund të çojë edhe në fatalitet jetësor?
Kush mban përgjegjësi për gjithë këta njerëz që administrata Beci largon pa pikë dhembshurie apo arsyetimi duke lënë pa punë edhe pa atë të ardhur financiare që kishin e që shumica prej tyre mbajnë familjen?
Kjo situatë kërkon reagim shoqëror, fillimisht nga politika e pastaj nga vetë shoqëria. Duhet solidaritet përpara kësaj mizorie ku nuk merret parasysh as gjëndja shëndetësore e as ajo ekonomike e punonjësve të liruar nga detyra.
Nuk mund të fshish me gomë familje të tëra që prej nesër do I nënshtrohen forcërisht thellimit të varfërisë së ekonomive familjare. Boll është boll…
Shkodra e shkodranët nuk janë as ‘arat e babës Tand’ I nderuar kryebashkiak, prandaj sillu si shërbëtor I shkodranëve e jo si pronar I tyre sepse kupa është mbushur tashmë…”, reagon këshilltarja demokrate në Bashkinë Shkodër.

Zjarr Tv Ad