Mjekët japin alarmin: Po shtohen rastet me koronavirus, gripi më agresiv! Ja simptomat që shfaqen

0
28
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pas festave të fund vitit janë shtuar shumë rastet me grip. E kombinuar me covid-19, rastet kanë pësuar komplikacione që shpesh i kanë çuar në dyert e spitaleve.

Janë mjekët dhe laboratorët ata që pohojnë situatën e rënduar në popullatë, ndërkohë që urgjencat spitalore, si ajo e të rriturve dhe pediatrike janë ditënatë plot.

SITUATA

Qarkullimi i gripit dhe viruseve të tjerë respiratorë po shtojnë sëmundshmërinë në popullatë. Rastet janë rritur që në muajin dhjetor dhe po shkojnë drejt kulmit në janar duke prekur të gjitha grupmoshat. Mjekët e familjes pohojnë se nga 3 persona që kryenin testimin e tampon 1 prej tyre rezultonte i infektuar.

Ndërkaq, urgjenca e pediatrisë në QSUT është tregues se numri i rasteve të prekur nga infeksionet respiratore po shkon drejt pikut. Mbi 400 pacientë në ditë i drejtohen këtij shërbimi për ndihmë mjekësore. Pediatrit konfirmojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për komplikacione nga gripi. Tek moshat pediatrike deri 2 vjeç ka raste të shtuara me virusin respirator sinsincial, infektime nga Covid dhe mutacionet e tij por edhe mbivendosje virusesh të cilët kanë rënduar gjendjen e fëmijëve në këtë periudhë.

Jemi në stinën e gripit dhe virozave dhe sipas mjekëve nuk kemi të bëjmë me një situatë të pazakontë si ajo gjatë pandemisë. Megjithatë prania e shumë viruseve njëkohësisht ka ngarkuar sistemin shëndetësor duke rritur edhe shtrimet në spital këtë periudhë.

Edhe pse zyrtarisht nuk ka konfirmim për praninë e varantit të ri të Covid, JN1, mjekët nuk përjashtojnë qarkullimin e tij në vendin tonë, referuar shenjave dhe agresivitetit të sëmundjes tek të vegjlit. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, kurba e infektimeve nga gripi dhe viruset e tjera vetëm po rritet. Mbi 13 mijë të prekur në javë raportohen aktualisht.

VIRUSI A/H1

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se vendi po kalon fazën kulmore të gripit të stinës A/ H1 që është normal në këtë periudhë. I Kombinuar me Covid-19 dhe me lloje të tjera të gripit, ka sjellë mbingarkesë në spitale dhe po krijon mortalitet të lartë në moshat e vjetra. Mjekët e familjes pohuan se kohët e fundit vihet re një mortalitet i lartë në moshat e vjetra mbi 80 vjeç që vuanin nga sëmundje të tjera kronike.

Virozat e këtij sezoni po duken më të ashpra se të vitit të kaluar në këtë periudhë. Simptomat më të zakonshme janë temperatura e lartë e kombinuar me dhimbje kockash, dhimbje fyti, diarre dhe të vjella. Por sipas mjekëve, në qarkullim janë edhe nënvariantet e Covid-19, por simptomat e tij janë shpesh me të lehta se të gripit të stinës. Për këtë arsye, mjekët sugjerojnë që moshat e vjetra duhet të kenë më shumë kujdes, të evitojnë grumbullimet dhe të mbajnë maska.

SIMPTOMAT

Sipas ekspertëve të Shëndetit Publik, simptomat më të rënda po krijohen nga qarkullimi i virusit të influencës A që ka marrë përmasat e një pandemie. Ekzistojnë katër lloje të viruseve të gripit: A, B, C dhe D. Viruset e influencës A dhe B shkak tojnë epidemi sezonale të sëmundjeve te njerëzit (e njohur si sezoni i gripit) pothuajse çdo dimër. Viruset e influencës A janë të vetmet viruse të gripit që dihet se shkaktojnë pandemi të gripit (d.m.th., epidemitë globale të sëmundjes së gripit).

Një pandemi mund të ndodhë kur shfaqet një virus i ri dhe i ndryshëm i gripit ne kategorinë A që infekton njerëzit, ka aftësinë të përhapet në mënyrë efikase midis njerëzve që kanë pak ose aspak imunitet. Infeksionet e virusit të influencës C në përgjithësi shkaktojnë sëmundje të lehta dhe nuk mendohet se shkaktojnë epidemi njerëzore. Viruset e influencës D prekin kryesisht bagëtinë me përhapje te kafshët e tjera, por nuk dihet se infektojnë njerëzit për të shkaktuar sëmundje. Deri më tani janë evidentuar 130 kombinime të nëntipit të influencës A kryesisht nga zogjtë e egër.

Viruset e nëntipit kanë prirjen për “riorganizim”, proces që ndodh kur dy viruse të gripit infektojnë një person në të njëjtën kohë dhe shkëmbejnë informacionin gjenetik. Nëntipet aktuale të viruseve të influencës A që qarkullojnë në mënyrë rutinore te njerëzit përfshijnë A(H1N1) dhe A(H3N2). Mjeket në Klinikën e Sëmundjeve të Mushkërive në Tiranë rekomandojnë evitimin e grumbullimit, konsumin e lëngjeve qëndrimin në ambiente të ngrohta dhe të ajrosura. Mjekët nuk sugjerojnë përdorimin e antibiotikeve në fazat e para. Vetëm pas pesë ose 6 ditësh temperaturë rekomandohet kontroll më i thelluar i cili përcakton nëse duhet.

Zjarr Tv Ad