Në fashatin Bëçisht të Tepelenës jeton një familje e harruar mes mjerimit dhe skamjes. Përpos kushteve të këqija, kjo familje nuk ka as drita dhe as ujë. Prej shumë kohësh, brenda kësaj shtëpie është strehuar familja Mulellari me 4 anëtarë, mes të cilëve dhe tre vogulueshë të pambrojtur.
Ata janë të vegjël dhe krahas ëndrrave të tyre fëminore, dëshira më e madhe që kanë është të kenë një shtëpi. Të uritur, më shumë të pangrënë sesa të ngrënë, në një dhomë mes baltës dhe ujit ku të mbyt lagështia e ku orenditë mungojnë, e të vetëm janë dy divana të vjetër, një dollap e një sobë e vjetër druri që nuk të ngroh, kalojnë ditët e tyre tre fëmijët e vegjël jetim të familjes Mulellari .
Nëna 32 vjeçare ngrys ditët mes sëmundjes së rëndë që nuk munden ta diagnostikojë të plotë e ta ndjekë me mjekim, ndërsa i duhet të marrë rregullisht insulinën dhe të ardhurat e vetme janë 5 mijë lekët e pensionit të të ëmës.
I zoti i shtëpisë u nda nga jeta 4 vite më parë duke lënë pas të shoqen dhe fëmijët jetim që mbetën në mes të katër rrugëve. Në kanatën që zëvendëson dollapin e bukës ka vetëm dy grushte trahana, të mjaftueshme për dy vakte e më pas…uria do t’i pushtojë sërish.
Në familjen Mulellari nuk ka atmosferë festash, nuk ka drita, bredh apo lodra. Ata e jetojnë çdo ditë me shpresën se, e nesërmja do t’ua shuaj urine, që nuk njeh të ngopur me vuajtjen e tyre.