Motra e Dan Hutrës, i akuzuar për vrasjen e tre grave dhe plagosjen e tre të tjerave brenda një dite tha në një intervistë, tha se shkak i vrasjeve në shtëpinë e ish-bashkëjetueses është fëmija që ajo lindi pak muaj me parë.
Ajo tha se i vëllai, pasi kishte dalë nga burgu për dhunë në familje i kishte rrëfyer se ish-gruaja nuk e linte rehat me mesazhe dhe telefonata ku i kërkonte të takonte fëmijën, për të cilën ai dyshonte se nuk ishte i tij.
Sipas saj duhet të kontrollohen të gjitha komunikimet telefonike mes të vëllait dhe ish-bashkëjetueses së tij për të kuptuar çfarë ka ndodhur.
“Lajmin e mësova nga vajza. Më mori nga Greqia dhe tha “hap TV se daja ka bërë namin, ka shkrirë një familje”. Vëllai ka pasur dy javë që ka dalë nga burgu. Ka ardhur me ka takuar në Kukës. Nuk dyshonim kurrë se do ta bënte këtë.
Vetëm më ka thënë, “motër nuk po më lë rehat”. Më ka lexuar mesazhet që i ka shkruar ish-gruaja. Nuk po më lë të jetoj jetën. Më thotë “hajde tako fëmijën”. Nuk më lë ta takoj, i kam kërkuar të bëjë test, nuk e bën. 23 ditë para se të lidheshin ajo ka qenë shtatzënë. Ka kërkuar test ADN që ajo s’ia dha kurrë.
Nuk ka ushtruar dhunë. Ajo ka thënë më ka dhunuar me fjalë, pse e tërhoqi deklaratën. Bëri 8 muaj burg kot. Mesazhet i keni në telefon, të hapen telefonatat, të saj dhe Danit. Pasi ka dalë nga burgu ka kërkuar ADN e fëmijës. Gjithë lufta është bërë për këtë fëmijë. Edhe sot e dua ADN për atë fëmijë”, tha motra e Dan Hutrës.
“Vetëm kur të dalë testi do dalë e vërteta. E ka provokuar për ta çuar deri në këtë pikë. Çfarë nuk i thoshte. Nuk ia ka dhënë atësinë fëmijës. Ai ka kërkuar t’i bëhet testi i ADN; nëse fëmija do të ishte i tij do merrte atësinë”, shtoi motra e Hutrës.