Gjithçka ka nisur 6 muaj më parë, pas martesës së motrës sime. Ajo kishte 3 vjet e fejuar dhe përpara gjashtë muajve u martuan. Si të gjithë çiftet e reja edhe motra ime dhe kunatin donin një fëmijë dhe sipas thënieve të tyre kishin rreth një vit që tentonin që motra të mbetej shtatzënë, por pa ia arritur. Menjëherë pas martesës ata nisën të bënin analizat dhe vizitat tem mjeku gjinekolog, për të parë se çfarë duhet të bënin që më në fund të kishin një fëmijë. Pas vizitave të hollësishme, mjeku i tha motrës se ajo kishte problemin dhe nuk mund të bënte fëmijë. Mund ta imagjinoni se çfarë drame ishte kjo për motrën time, e cila është vetëm 25 vjeçe. Muajt e parë kaloi në depresion, por familja ime dhe bashkëshorti e kanë mbështetur shumë për të dalë nga ajo gjendje stresi që kaloi. Pas trajtimeve me psikolog dhe neve që i qëndruam afër në çdo moment më në fund motra kaloi më të keqen dhe tani është pak më mirë. Për këtë jam ndjerë tejet e lumtur dhe e gëzuar, që motra u bë pak më mirë, pavarësisht se më dhemb në shpirt që ajo nuk mund të përjetojë emocionin e mëmësisë. Gjithsesi problemi, apo shqetësimi im erdhi tre javë më parë, kur motra erdhi në shtëpinë time bashkë me kunatin dhe kërkuan që të flisnin me ne. Ata na thanë se do donin shumë që të kishin një fëmijë dhe meqenëse nuk kanë qejf të adoptojnë dikë, atëherë shohin si zgjidhje dhe mundësi që unë të bëj një fëmijë posaçërisht për ta. Unë jam e martuar dhe kam dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Nga kjo kërkesë të them të drejtën u shokuam edhe unë edhe bashkëshorti, ndërsa ata na kërkuan që të mendoheshim dhe kur të ishim gati t’ju jepnim një përgjigje. Gjatë bisedës motrës dhe kunatit iu mbushën sytë me lot, ndërsa unë ndihesha tmerrësisht keq për hallin që kanë ata, por edhe për kërkesën që na bënë neve. Nuk e imagjinoj dot që të mbaj nëntë muaj në bark një fëmijë dhe t’ia jap dikujt tjetër. Kjo situatë është me të vërtetë e rëndë dhe nuk di çfarë të bëj. Motra më dhimbset në shpirt dhe dua me gjithë zemër që ta ndihmoj, por edhe kështu nuk e kisha imagjinuar se do ndihesha ndonjëherë. Nuk jam vënë asnjëherë në një pozitë të tillë gjatë gjithë jetës sime. E diskutojmë këtë temë çdo ditë prej tre javësh dhe akoma nuk kemi arritur që të bindemi se, cila është gjëja më e drejtë për t’u bërë. Ndjehem shumë në ankth dhe kam thuajse tre javë pa gjumë. Motra më telefonon thuajse çdo ditë duke qarë dhe më thotë se ndjehet bosh dhe e panevojshme, ndërsa unë nuk e di nëse mundem ta përballoj diçka të tillë. Kam pyetur disa njerëz për këtë histori dhe kam kërkuar mendim se çfarë duhet të bëj unë, por askush nuk më jep një përgjigje, më thonë se është një vendim që na takon vetëm neve. Bashkëshorti im thotë se, nëse pranojmë do jetë e vështirë dhe do ta kemi pishman gjithë jetën, pasi do ta shohim fëmijën tonë të rritet dhe nuk do të na thërrasë nënë e baba. Ai më thotë se duhet të mendohemi mirë, pasi nuk do kemi asnjë të drejtë mbi atë fëmijë dhe çfarëdo që të ndodhë kur ai të rritet ne do ndjehemi keq, apo sikur diçka na mungon. Ai ka të drejtë për këtë, por unë dua që ta ndihmoj motrën time. Uroj që ju lexues të gazetës të më jepni një mendim më të plotë dhe ndihmë për gjënë e duhur që duhet të bëj. Shpresoj që dikush me ndonjë eksperiencë të ngjashme të më japë një mendim se si bëhet diçka e tillë dhe si ndjehesh kur e dhuron atë fëmijë që e ke ushqyer me gjakun tënd për 9 muaj. Me respekt, Diana!
Zjarr Televizion Ad
This is a sample article.
...