Një përmbushje të ëndrrës së nisur në dhjetor të 1990 e cilësoi Myslim Murrizi hapjen e listave zgjedhore. Duke folur në Kuvend, ftoi kolegët të dalin në pazar për vota në 2021 dhe të matin veten. Murrizi deklaroi se në listat ku do të kandidojë ai do të jenë të hapura 100%.
Myslim Murrizi: Sot 15 muaj pasi unë qëndrova në parlament, ditë pas dite mu bashkuan kolegë të tjerë nga listat e PD dhe LSI. Në atë kohë nuk besohej kurrë se një grusht i vogël deputetësh jo pjesë e establishmentit politik 30 vjeçar, jo pjesë e elitave vendimmarrëse të pista politike të këtij vendi, por individë të thjeshtë, njërë të përçmuar ndoshta nga rendintja edhe nga kryetarët e partive do të arrinin të rikthenin pas 12 vitesh votën e lirë të qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur me votën e tyre individët që do të vinë në këtë sallë si përfaqësues të tyre. Një ëndërr e nisur në dhjetor 1990 e ndërprerë në 21 prill të 2008 nga dy kapot e dy subjekteve politikë. A u pyet shoqëria civile, shqiptarët me referendum, subjektet e tjera politike? Jo. Shpejt keni harruar ju të ardhurit nga LSI që i pari juaj që sot është president në këtë sallë ka qëndruar 7 ditë në grevë urie.
Sot po u japim mundësi shqiptarëve në 2021 të mos shkojnë me detyrim përcaktim dhe të zgjedhin apo votojnë dy gjellë të prishura, një supë me krimba dhe një supë të ndenjur. Po u mundësojmë që me votën e tyre të na shohin në kokërr të syrit, kush meriton të vijë në këtë sallë. Nëse gjatë 15 muajve mund të kem stigmatizuar apo anatemuar cilindo nga ky krah me të padrejtë nga ky krah, nuk flas për deputetë të PS, do ti kërkoj falje publike.
Dilni në pazar për vota në 2021. Çdo votë do të quhet gram, nëse e kaloni kilogramin do tu kërkoj ndjesë politike dhe nuk do më shihni më në politikë. Unë do të kandidoj me emër dhe ata që do të jenë në atë listë që do kandidoj unë do të jenë gjithë listë e hapur. Ftoj çdo subjekt politik të mos fshehë hajdutë nën 30%. Tre ditët e fundit PS-PD po sfidojnë njëri-tjetrin kush do ti hapë më shumë. Ku paskeni qenë ju që vdisni për tu hapur në total. Bujrum. Pallavra se mbyllet 1/3 nuk i hanë më shqiptarët. Ne të panjohurit po u themi shqiptarëve që pas 8 muajsh do të jemi në betejë tu kërkojmë votën.
Ai ftoi PS që pas votimit të sotëm të ulen dhe të realizojnë depolitizimin e administratës zgjedhore.
Myslim Murrizi: Ftoj zotin Balla dhe zotin Rama që pas kësaj duhet të ulemi për depolitizimin e administratës zgjedhore. Raporti i fletëarresteve të SPAK 7-7-7-1 më duket si formacion luftarak i zborit para ’90. 7 të arrestuar nga PS, 7 nga PD, 7 nga LSI dhe një hibrid nga Partia Republikane përpos dy të varrezave që nuk janë gjetur dot. Ju hajdutët do ruani votat e subjekteve të tjera politike? Nuk do të keni më të drejtë për të numëruar vitat e subjekteve të tjera. Që të shkojmë të barabartë duhet të kemi besim që nuk preket vota.