Në tryezën e diskutimeve pas çeljes formale të negociatave me Bashkimin Europian nga delegacioni shqiptar e para që ka folur gjatë punimeve të pasdites ishte ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka. Ajo theksoi në fjalën e saj se mbetet ende shumë punë për të bërë nga ana e Shqipërisë për të shkuar te integrimi, por që zbatimi i reformës në drejtësi është një nga motivimet më të mëdha për të ecur përpara. Sipas Xhaçkës, Shqipëria është gati për t’u ulur në tryezat e ardhshme dhe për t’i dhënë stimul kalimit të kapitujve.
“Jam shumë e lumtur që jam këtu dhe dua të rrëfej se ndihem e lehtësuar dhe besoj se këtu flas në emër të shumicës dërrmuese të shqiptarëve pasi kemi pasur dyshime nëse kjo ditë do të vijë ndonjëherë. Ky durim strategjik është i drejtë. Vlerësoj faktin se Komisioni ashtu si ne ndien nevojën urgjente për të kompensuar kohën e humbur. Kemi punuar shumë për të hapur negociatat e anëtarësimit. Ky mbetet një objektiv që gëzon mbështetjen masive nga vendi ynë. Ka qenë forca shtytëse dhe motivimi për ndryshimet e Shqipërisë në 3 dekada. Ky proces nuk ka lënë gur pa lëvizur, duke ndikuar në çdo sferë të jetës në Shqipëri. Sa i përket përmbajtjes së procesit të shqyrtimit do ta kap shkurt. Me komisioni kemi zhvilluar një sërë takimesh shpjeguese dhe rezultati ka qenë shumë i dobishëm për të çelur negociatat.
Së pari për planin tonë të transpozimit ne e kemi tani planin kombëtar për integrimin europian. Për përpjekjet tona për të forcuar kapacitetet administrative do të angazhojmë të gjitha strukturat për negociatat tona të anëtarësimit. Ne jemi gati dhe kemi punuar shumë për këtë proces. Ne kemi zbatuar një reformë në drejtësi që ka luajtur rol kyç në goditjen e korrupsionit. Kemi shumë për të bërë por hapja formale e negociatave na jep motivim për t’i përmbushur të gjitha kriteret”, tha Xhaçka.