Nënkryetari i Partisë Demokratike Roland Bejko, i ftuar në studion e News24 ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, si edhe ka zbuluar qëndrimin e forcës politike ku ai bën pjesë.
Bejko u shpreh se PD nuk është distancuar vetëm nga Berisha, por nga ajo që ai quajti “berishizmi”, që sipas tij përmbledh elementet që e portretizojnë një figurë politike si autoritar.
Sipas tij Partia Demokratike ka vijuar aksionin e saj politik dhe ka vijuar me procesin e organizimit të brendshëm të partisë, ndërsa zbuloi se deri në fund të muajit mars pritet që të dalë lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare.
Ai theksoi se pret që Basha dhe demokratët e tjerë pranë tij të artikulohen politikisht dhe të jenë më pranë qytetarëve për të prezantuar propozimet e tyre.
Sa i përket çështjes së ish-kryeministrit Berisha, ai tha se fundi i liderëve të tillë është vetmia, duke u shprehur se poshtë banesës së tij janë mbledhur vetëm “bashkëpunëtorët që u ndryshoi lëkurën”.
“Ne nuk jemi distancuar vetëm nga Berisha, por nga berishizmi që përmbledh elementet që e portretizojnë një figurë politike si autoritar. Berisha bën si Rama mos njohjen e ligjit, krijimin e forcave paramilitare për kundërshtimin e ligjit dhe de legjitimimin e kundërshtarëve politikë dhe atyre që nuk janë në axhendën e Berishës, fut këtu edhe drejtësinë që ai e quan bandë kriminale dhe kreun e SPAK e vendos me kriminelët e këtij vendi. Ne distancohemi nga aktet e dhunës në parlament. Presim nga ata që janë në parlament t’i japin mundësi zhvillimit të reformave.
Deputetët e PD kanë reaguar për çështjet e ditës nga selia sepse parlamenti ka qenë në flakë dhe kur flakadanët e berishizmit ndizeshin ata kanë votuar kundër buxhetit. Deputetët e PD kanë dalë në konferenca duke marrë zërat e buxhetit një për një. Në mungesë të kushteve për të prezantuar opinionin në sallën e parlamentit ku i është vënë flaka nga Berisha dhe Rama, ata kanë dalë në seli.
Gjatë kohës që Berisha ka qenë në aksione parapolitike, PD ka qenë në aksione politike. PD ka prezantuar disa nisma. PD ka strategjinë e vetë. Ne dolëm nga një situatë e vështirë e ekzistencës, strukturat ishin traumatizuar. Për pasojë PD ka qenë duke u organizuar nga brenda. Kur mbaroi Kongresi Basha ka qenë në terren duke takuar demokratët dhe duke u shpjeguar axhendën tonë. Pa rregulluar oborrin tonë ne nuk mund të pretendojmë se të tjerët janë të gatshëm të na bashkohen.
Pasi u bënë zgjedhjet për strukturat e partisë, jemi në procesin e zgjedhjeve të kryetarëve të degëve. Deri në fund të marsit do dalë edhe lista për kandidatët për deputetë në zgjedhjet parlamentare. PD e ka urgjencë të nxjerrë ekipin e saj në terren dhe të jetë pranë qytetarëve. Ajo që pres nga Basha dhe PD është që ne të gjithë të artikulohemi politikisht dhe qytetarët të dëgjojnë propozimet tona për ndryshimin dhe zhvillimin e vendit.
Besoj shumë te SPAK, nuk besoj se pas tij qëndron Rama. Telefoni i SPAK është ndërprerë me Ramën dhe komunikon vetëm me Uashingtonin. Drejtuesit e SPAK nuk i shohin fare lajmet shqiptare, por vetëm ato në SHBA. Berisha me kthimin që bëri, duke krijuar një puç për ta kthyer PD në bunker të vetin dhe familjes së vetë, nuk bëri gjë vetëm sa e dëmtoi PD dhe armiqësoi demokratët. Fundi i liderëve të tillë është vetmia. Shikoni pak kush i mblidhet atje te rruga, vetëm bashkëpunëtoret e tij që u ndryshoi lëkurën, nga njerëz të varfër i bëri shumë të pasur duke mos punuar një ditë. Rithemelimi ka humbur tashmë, është në drejtim të paditur”, u shpreh Bejko mes të tjerash.