Neritan Sejamini ka folur për largimin e Arben Ahmetajt nga vendi, i cili akuzohet nga SPAK për disa vepra penale.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Sejamini tha se Ahmetaj ndihet i zhgënjyer me kolegët e tij socialistë dhe e kupton se po e bëjnë “kokë turku” për të fshehur persona më të rëndësishëm se ai.
“Po të shohësh diskursin e zotit Ahmetaj, ai ka një pakënaqësi që ia kanë hedhur, ai mendon se i kanë ngarkuar më shumë seç i takon. Ndihet që ka një zhgënjim me të vetët. Ai e nënkupton që pse ai dhe jo të tjerët, që duan ta bëjnë kokë turku për të fshehur disa më të mëdhenj se ai.
Nuk ka asnjë dyshim që zoti Ahmetaj ka qenë i përfshirë në këtë skemë dhe ai di gjithçka. Sikurse nuk kam dyshime që ata dinë gjithçka, përfshirë edhe zoti Rama, Veliaj, Gjiknuri, prokurorët.
Publikut nuk po i jepet e gjithë skema dhe afera, por fragmentimi i çështjes për të mos treguar një shtet të kapur, në shërbim të dy keqbërësve nga rruga.
Ti ke dy keqbërës, zoti Zoti dhe Mërtiri, njerëz modest në kuptimin e keqbërjes, këta nuk janë njerëz shumë të pasur, kanë qenë modestë në fillim. Këta dy të varfër dhe anonimë, kanë kapur të gjithë shtetin shqiptar, e kupton çfarë shteti kemi ne?
Në këtë shtet të kapur, cila ka qenë metoda e SPAK? Fragmentimi i çështjes, gjykimi veç e veç. Zoti Ahmetaj e di këtë gjë.
Prokuroria duhet të na thotë si u morën 17 vendime për 24 orë”, tha Sejamini.
Sejamini komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Rama, duke thënë se ai u mundua të distancohej nga Ahmetaj dhe ta zbehë rolin e tij.
“Rama u distancua nga Ahmetaj. Krahasimi që bëri me Tahirin, është i panevojëshëm, ai donte të theksonte që jemi të bindur që Ahmetaj është fajtor. E dyta, Rama siç bën në çdo skandal, mundohet ta largojë veten.
Ai tha kemi folur në telefon, jemi takuar, edhe me fjalët që përdori, donte ta zbehte edhe pse ka qenë ministri më i fuqishëm i financave dhe ekonomisë në historinë e Shqipërisë, u bashkuan tre ministri. Ka qenë zv.kryeministër. Fjalët që përdori Edi Rama ishin fjalë për ta zbehur rolin e tij.
Zoti Rama do që kjo çështje të kënaq publikun, që dikush u fut në burg. Nëse Ahmetaj nuk dënohet për inceneratorët, duhet të arrestohet dikush tjetër, sepse është një aferë që dikush duhet të bjerë. Ai do që me këtë kokë të madhe, të mos ketë nevojë të bjerë askush tjetër”, tha Sejamini.