Dje postoj një denoncim për rritjen e çmimit të bisedave telefonike. Të gjitha kompanitë njëkohësisht dhe institucionet nuk ndjehen. Trishtim qe reagimi i ca miqve që i çmoj. “Ka marrë fund gjithçka…” , ” eee! Sa kërkon edhe ti…” e të tjera si këto.
Dëshpërim është ngordhja e nervit dhe nënshtrimi përfundimtar ndaj këtij realiteti politik. Albanoragjia (rrjedhja e pakontrolluar e shqiptarëve) dhe pajtimi masiv me regjimin. Ky popull ngjan me një vajzë që e përdhunojnë në grup. E mpirë e me sytë ngulur në një pikë, nuk bën absolutisht asgjë, veç pret të kalojë rradha shpejt e të mbarojë edhe i fundit….
Mbrëmë u ça facebooku me meme e komente kundër sjelljes së Edi Ramës të ftuar në Opinion. Që nga “u çmend” e deri tek “i droguar” luhatej gama e aludimeve masive në rrjetet. Ndërsa unë besoj se pikërisht ky qe qëllimi i asaj shfaqjeje mbrëmë, që në fakt nuk është premierë. Edi Rama është një nga politikanët më konseguentë. Ai KËSHTU hyri në politikë: si ekcentrik, me vëthë e çorape me lajle – lule, si i çmendur që del me sëpatë rrugëve apo i bie me grushta foltores e duke folur “la e pa la”- siç i thonë në tironçe. Kështu ” ia hongri zemrën” tironcve e më pas gjithë shqiptarëve. Atë shfaqje ky individ e ka të nevojshme ta përsërisë kohë pas kohe. Dhe mbrëmë qe koha! Edhe vetë përmendi “kokëkrisjen” e tij si diçka të njohur botërisht. Përsëriti më butë shprehjen se “nuk ka bir….që të kërkojë lekët e veta” në xhepat e Ramës e, ndër të tjera i deklaroi një gazetari në studio se nuk i përgjigjet atij por shikuesve
SEPSE SHOW DJE QE PËR SHIKUESIT!
Reagimet e shikuesve tregojnë se AI ia doli! “I çmendur” , “i lig”, “jo normal”, ” i marrë” na dëshmojnë se të gjithë kanë marrë të njejtin mesazh. Pas tij rrjedh vetiu reflektimi: ” të marrit hapi rrugë”!
Mbrëmë na tha se “të kishte qenë Enveri do t’i kishte futur 7 pashë nën dhè” këta gazetarët. Me këtë deshi me thënë se nuk qe diktator. Ky që në vend të 7 pashëve nën dhè ka çuar qindra mijë shqiptarë 700 milje larg atdheut. Po me të njejtën teknologji të diktatorit Hoxha: TERRORIN! Askush nuk është rehat të ndërtojë jetën e të rrisë fëmijë në një vend që drejtohet nga një individ me imazh të çekuilibruari dhe jashtë kontrollit normal të institucioneve demokratike, siç janë gjykatat, opozita etj. Ndaj edhe ndodh albanoragjia.
Ndërsa ata të pashpresë të mbetur, shpresojnë të mbarojë shpejt rradha e përdhunuesve, pa menduar se, kur të jetë shprazur i fundit i është ngrehur të parit dhe qarku i përdhunimit të mos ndalojë kurrë.