Nga diplomat fiktive te titujt dhe gradat/ Çfarë arsimi kanë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë?

0
68
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Historia e një realiteti parlamentar në Shqipëri nuk është e vjetër. Por edhe pse në pak dekada, ndryshimet dhe transformimi që ka pësuar Parlamenti shqiptar kanë qenë befasuese shumë herë dhe të dhimbshme shumë herë të tjera. Nga një parlament i mbushur me akademikë ne fillimet e demokracisë gjendemi sot me Parlamentin e deputetëve të heshtur.

Tch është thelluar në një hulumtim të detajuar në lidhje me arsimin e lartë të 140 deputetëve shqiptarë për legjislaturën 2021-2025, nga të cilët 74 janë të rizgjedhur e 66 prej tyre të mandatuar për herë të parë, ku mbizotërojnë mandatet e gjinisë mashkullore me 90 prej tyre.

Pavarësisht se ligjërisht nuk kërkohet universitet për të hyrë në Parlament, numrat tregojnë për një Kuvend të mirëarsimuar në letra ku dominojnë ekonomistët edhe juristët. Vendin e parë e mban dega e Ekonomisë për numrin më të madh të të diplomuarve aty, me 49 deputetë, por 11 prej tyre janë të profilit bujqësor. Si dhe në këtë listë ka deputetë që vetëm kanë kryer masterin në fushë ekonomike ose e kanë Fakultet të dytë. Pjesa më e madhe e deputetëve ekonomistë janë socialist 29 prej tyre, dhe kryesisht janë profilizuar për administrim biznes ose publik, janë më të paktë deputetët e financës. Si dhe vihet re që ka edhe nga ata me formim marketing. Ndërsa arsimin e lartë për drejtësi e kanë përfunduar 40 deputetë, ku 21 prej tyre janë juristë të opozitës.

Në renditje pasohen 15 deputetët inxhinierë, 8 të mazhorancës dhe 7 të opozitës, të cilët janë kryesisht të profilit mekanik ose elektronik. Parlamenti përbëhet edhe nga 13 mjek që kanë lënë përparëset e bardha për të përfaqësuar popullin. Fushat e tjera të diplomimit të deputetëve lidhen edhe me mësuesinë, shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, gjuhët e huaja apo formimi ushtarak. Artet përfaqësohen në Parlament vetëm nga kryesocialisti Edi Rama që është diplomuar për pikturë dhe nga demokratja Eralda Bano e degës së Flautit në Akademinë e Arteve të Bukura.

Duke krahasuar të dhënat e jetëshkrimeve zyrtare të deputetëve dalin në pah edhe raste të mospërputhjeve të viteve të studimit me eksperiencat në punë, apo ndjekja e arsimit të lartë në universitetet e rretheve ndërkohë që kanë qenë të punësuar larg vendit të studimit. Gjithashtu ka edhe deputetë të cilët e kanë marr lehtësisht diplomën pa u munduar nëpërmjet sistemit me korrespondencë si dhe dhjetëra diploma të marra në universitete private. Le të ndalemi te shembujt konkrete që ngrenë pikëpyetje. Demokrati Asllan Dogjani 9 vite pas arsimimit në akademinë e policisë, në kohën kur ishte pjesë e policisë së shtetit diplomohet për Juridik. Rrugëtimi akademik i deputetit të PD-së Bujar Leskaj në dukje është i larmishëm, ka përfunduar tre fakultete. Në 90 është diplomuar në degën e gjeologji minierave, më pas për financë te Fakulteti i Ekonomisë dhe diplomën e tretë e ka marr te juridiku në 2002. Por ajo që të vret sytë është fakti se Leskaj ka qenë student i drejtësisë në kohën që u jepte mësim studentëve të ekonomikut.

Ndërsa Isuf Çelaj e ka kryer Fakultetin Juridik part time në vitet 1996-2003, kur ka qenë shef i pasaportave në ministrinë e brendshme; pa u mjaftuar me diplomën e parë si mjek veterinar te bujqësori. Pas Fakultetit të Histori-gjeografisë, në moshën 48 vjeçare, deputeti Luan Baçi diplomohet për drejtësi në Universitetin Kristal, institucion i cili më vonë u mbyll për skandalet e dhënies së diplomave. Edhe Nusret Avdulla i PDIU ka marr diplomën për administrim biznes te Kristali dhe më pas ka kryer masterin për shkenca administrative në Vlorë gjatë viteve 2016-2018 kur ka ushtruar detyrën e drejtorit të punësimit në Fier. Deputeti i PDIU-së Gëzim Ademaj e ka vazhduar juridikun si fakultet të dytë në universitetin e Vlorës pas diplomës për inxhinier miniere. Por jo të gjitha cv e deputetëve janë me informacion të saktë dhe pa gabime drejtshkrimore. Socialistja Antoneta Dhima formimin bazë e ka për financë në shkollën ushtarake Skënderbej, ndërsa në moshën 43 vjeçare kur ishte e punësuar si mësuese në shkolla jo publike ndoqi master në Universitetin e Durrësit.

Deputeti i PS-së Ilir Metaj zbulon në jetëshkrimin e tij që ka kryer arsimin e lartë për administrim biznesi në Vlorë gjatë viteve 95-2000, por bie në sy se gjatë viteve të studimit ka emigruar në Itali në 97-98, duke nënkuptuar mosndjekjen e plotë të arsimit. Socialisti Bujar Çela në 84 është diplomuar për zootekni te bujqësori, por kur ishte 49 vjeç ndryshon fushën duke u diplomuar në Elbasan në degën filozofi sociologji, për të vijuar në 2013 në të njëjtin universitet diplomimin në master për psikologji.

Performanca e dhjetëra deputetëve në Kuvend, pavarësisht lehtësisë si bëhen pjesë e tij, është e dobët, duke mos lënë asnjë gjurmë në memorien parlamentare. Për mungesën e ligjërimit dhe përfaqësimit në Parlament a duhet të ketë masa ndëshkimore për deputetët pa zë?

Tempulli i demokracisë do duhej të ishte arenë e përballjes së ideve, por realiteti flet për te kundërtën, pasi fjalët i lanë më shumë vend aksionit duke i kaluar në plan të dytë hallet e qytetarëve, aq sa buxheti i shtetit për vitin 2024 u votua pa asnjë diskutim si asnjëherë më parë.

Me ndihmën e ndërkombëtarëve, për të rritur cilësinë e parlamentarizmit është krijuar para dy vitesh Instituti Parlamentar nën drejtimin e Elvin Gjevorit që na tregon funksionin e këtij institucioni. Por duket se as ky instrument analizues i gatshëm nuk shfrytëzohet nga pjesa më e madhe e parlamentarëve. Të dhënat tregojnë se më pak se ¼ e deputetëve shqiptarë shfaqin interes për këto informacione krahasuese ,statistika për t’i përdorur më pas në debatin publik. Nëse kualifikimet dhe spezializimet akademike që kërkohen për profesione të tjera të një niveli edhe më të ulët ndjeshmërie publike janë të shumta, nuk është ky rasti kur vjen fjala për mundësinë e të qenurit deputet, ku kriteri kryesor sot mbetet angazhimi partiak.

/Emisioni “Exclusive”

Zjarr Tv Ad