Nga Dritan Hila: Historia e Hil Preçit, mjeshtrit të tendave!

0
102
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Dritan Hila

Kisha vite qe doja ti ndërroja tendën skafit por nuk gjeja usta për këtë punë. Më thoshin që i bën njëri në Shijak, ai i Shijakut më çonte në Sukth dhe ai i Sukthit më sqaronte që bënte vetëm tenda ballkonesh. Më së fundi Berti, përfaqësuesi i tendave “Paradise” më thotë që kishte dëgjuar që është njëri në Lezhë, i cili merrte materiale në Itali në të njëjtin vend ku furnizohej ai dhe e merrte për mjete lundruese. Si përfundim mora në telefon Paulin Ndreun si njeriun që njeh çdo gjë për detin e me detin, i cili natyrisht që e dinte dhe më jep numrin e tij. Quhej Hil Preçi dhe jetonte në Lezhë.

E gjeta në dyqanin e tij në një nga rrugët e qytetit ku kisha 10 vite pa shkelur pasi herën e fundit më kishte lënë përshtypjen e Kabulit. Lezha kishte ndryshuar. Rrugët e pastra, të sistemuara dhe shëtitorja buzë lumit bashkë me dy urat artistike i kishin dhënë pamjen e qytetit turistik.

Hilën e gjeta në punishten e tij, një ambient ku kuptohej që kishte punuar dhe marrë edukatën e punës nga jashtë. Në kafe më tregoi se kishte qenë në Greqi ku kishte punuar në këtë zanat dhjetë vjet si punëtor dhe tetë të tjera me firmën e tij. Unë e di që ky është një zanat që paguhet shumë jashtë. Një tendë skafi i vogël kushton deri në 1 mijë e 500 euro dhe për më tepër ustallarë të tillë nuk gjenden kollaj.

Më tregoi se e kishte marrë malli për Shqipërinë, për tokën e tij në fshat ku tani shkonte çdo fundjavë dhe kujdesej për pemët dhe tokën; se dy vajzave të tij iu kishte mësuar shqipen pasi në shtëpi nuk fliste kurrë greqisht. Në Lezhë kishte ndërtuar punishten dhe sipër saj shtëpinë për vete dhe dy vajzat në tokën që e kishte blerë para njëzet viteve.

Më tregoi se kishte punë pafund pasi në Shqipëri askush nuk kishte këtë zanat. Madje as në Mal të Zi ku i kishin ofruar punishten falas por ai nuk kishte pranuar pasi e kishte mbyllur me mërgimin

Më tregoi sesi ishte vështirë për punëtorë dhe nuk gjente njeri që ti mësonte zanatin, zanat që të bën me para. Se të rinjtë preferonin kafenetë në vend të një pune që as të vriste duart dhe as të binte dielli në kokë.

I dhashë tendën time dhe i kërkova që thjesht të ma kopjonte. Gama e ngjyrave dhe materialeve ishte ajo e një sipërmarrësi në Itali. Ndërsa punimet e tapicerisë detare plot fantazi.

Pastaj shkuam të pinim kafe me kryetarin e bashkisë, Pjerin Ndreun, mik i vjetër imi dhe i Hilës, i cili më tregonte sesi në një qytet kaq të vogël, veç restoranteve që tashmë i njeh gjithë Shqipëria, ka edhe zanatçinj si Hila dhe po aq të çmuar e të zotë si shefat e kuzhinës.

E takova rishtas pas dy ditësh Hilën kur shkova të merrja tendën e re. E kishte puthitur. Pimë rishtas kafe me premtimin që do takoheshim rishtas kur të kalonte sezoni dhe ai të kishte më pak punë. Do shkoj, pasi Hila ishte nga ata njerëz që gjithkund shohin vetëm të mirën dhe besojnë se edhe e keqja është e përkohshme. Janë njerëzit që ngjallin optimizëm edhe në këtë kohë gri./dritare.net

Zjarr Tv Ad