Unë dhe Covid 19
Jam i lumtur! Kam një leje nga qeveria për të dalë në orarin 11:00 deri 12:00 për të bërë pazar për familjen time. Dhe po afrohet ora…
Ora 10:57…
Ja ku jam, krejt afër derës së jashtme, i pajisur më së miri me atlete, pantallona me shumë xhepa, bluzë sportive, maskën të varur në qafë dhe dorezat e gomës në xhep. Emocionet shtohen dhe befas i kuptoj ndjenjat që i kaplojnë ata pilotët e Formula 1 teksa afrohet ai
sekondi kur duhet të lëshohen në pistë. Dicka e tillë duhet të jetë, them me vete. Apo…?
Hej dreq, paska shkuar 11:01 ora ndërkohë!
Mos mendo! I them vetes.
Vepro!
Turrem shkallëve për poshtë si djalë i ri dhe arrij në oborrin e pallatit.
Mooos…kam harruar listën!
Kthehem dhe filloj ngjitjen më të shpejtë të këtyre 25 viteve të fundit të 4 kateve. Duke mu marrë fryma, nuk flas fare por, rrëmbej
listën dhe riturrem përposhtë. Gjunjët nuk e kanë më entuziazmin e
zbritjes së parë. E ul pak ritmin dhe dal në oborr dhe shikoj orën.
Ora 11:05
…aaah…I humba 5 minuta
Nisem me hap të shpejtë drejt supermarketit krej afër shtëpisë sime.
Ajri i pastër, i pandotur nga makinat nuk më bën fare përshtypje. As cicërimat e zogjve nëpër pemë.
Lëre hajvan, I them vetes. Ke plot ajër në dritare.
Fokusohu!
Arrij tek supermarket dhe…gati më lënë gjunjët.
Një radhë e gjatë, me njerëz që rrinë nga 2 metër njëri pas tjetrit shtrihet përpara meje. I numëroj…plot 16 vetë. Jooo,qenkan 17, nuk e
pashë atë vajzën mbështetur pas pemës.
Ora 11:09
Dy policë të heshtur afrohen drejt meje dhe e kuptoj që duhet të tregoj lejen time. Plot krenari, paksa mospërfillës, hap telefonin tim dhe u tregoj lejen. Janë të dy në moshë dhe duket që teknologjia i ka çakorduar paksa. E shohin me kujdes ekranin e telefonit, plot dyshim por…dorëzohen.
E kam lejen!
Uffff…I qetë më në fund.
Shikoj listën dhe mundohem ta mësoj përmendësh.
Djali i vogël- Pampersa 2 pako, qumësht me yndyrë dhe biskota
Për vete- Cigare
Gruaja- Një pako nga ato…!!! Aha…lines, i erdhën ato dje…
Djali i madh- Ça të duash ti o ba më tha (ndjehem krenar me të. Është bërë burrë dhe e kupton situatën)
Babai- Vetëm një brisk rroje
Mamaja- Ilaç për enët dhe ilaç rrobash
Bukë, limona, portokalle, oriz dhe ndonjë gjë tjetër e cila mund të lindte nga fantazia ime duke qenë brenda në dyqan.
Ora 11:14
Rinumëroj njerëzit dhe shoh që kam 15 vetë përpara. Duke qenë i fortë në matematikë llogaris që, me ritmin 2 minuta për person, më duhen rreth 30 minuta që të më vijë radha.
Çfarëëëë?
Filloj të dridhem. Po kaq shumë duhet për të paguar! Nuk arrij dot…
Filloj t’i kem zili prindërit pensionistë që nuk lejohen të dalin.
Xhelozohem për fëmijët që nuk kanë përgjegjësi në këto raste.
Mallkoj veten që i bëra hile sime shoqeje në shortin se kush do të bëjë pazarin.
Ora 11:29
Mallkoj veten që jam i fortë në matematikë. Janë plot 8 vetë para meje….
I dëshpëruar, filloj të bëj skenarë për ta zgjidhur situatën. Filloj e kujtoj kryefjalën e ditës
– Kjo është luftë! Po. Luftë është. Dhe në luftë ligjin e bën më i forti.
Filloj e ndjehem i ngazëllyer. Jam trupmadh, i bëshëm dhe kam një mjekërr që më bën paksa arrogant.
Filloj të hetoj bashkëradhorët e mij dhe…i lumtur, konstatoj që, përveç një tipi që është 3 vende para meje, të tjerët i ha kollaj nga ana fizike.
Bërrylat e të gjithëve përthyhen gjithnjë e më shpesh duke parë të
alarmuar orën.
Fillojnë të shohin përreth dhe jam i bindur që tek të gjithë, koncepti “Jemi në luftë” tashmë ka triumfuar.
Konkurenti im kthen kokën dhe më nënqesh duke vendosur kësisoj një farë aleance të heshtur.
Ne të dy do ja dalim!
Ora 11:32
Sulemi pothuaj njëkohësisht të gjithë, duke e harruar fare virusin e ndyrë. Shtyhemi dhe futemi në supermarket, duke u shpërndarë secili në raftet e tij.
Dreeeq! Unë nuk bëj pazar kurrë!
Ku ta di unë se ku janë mallrat që kërkoj?
Megjithatë, një plan madhështor më ndriçon mendjen.
Listën e di përmendësh. Mjafton të eci përgjatë rafteve dhe të marr gjërat që janë në listë, E përpunoj në kokë shpejt e shpejt listën jo sipas anëtarëve të familjes por, si mallra veçmas.
Kjo më sjell një rezultat fantastik.
Ora 11: 36
Kanë kaluar 4 minuta dhe kam blerë gjysmën e gjërave!
Fjalët që shkruhen me gërma aq të vogla në raftet e supermarketit më acarojnë. Vë në përdorim gjuhët e huaja që di. Etiketat janë ose
Italisht, ose anglisht.
Fillojnë e marrin kuptim orët e stërgjata që kaloja duke mësuar gjuhë të huaja. Dhe mu kujtua mësuesja e anglishtes që thoshte- Gjuha e huaj është një armë më shumë në luftën për jetën! Ja ku erdhi dita e shpërblesës!
Ngecem paksa tek frutat se kishte disa llojesh. Rrëmbej ato që më duken më të bukura dhe avancoj tek reparti I fundit, ai i mallrave
familjare.
Ora 11:41
Gjej sektorin e pampersave. Upss qenkan me masa të ndryshme. Mendo! I
them vetes.
Hap masën e parë, tërheq një pampers dhe filloj të imagjinoj masën e bythëve të çunit të vogël. Nuk mendoj se këto janë të duhurat. Hap
masën e dytë dhe, duke qenë se nga zanati më vjen për të kuptuar masat dhe format, jam I bindur që janë të duhurat.
Aty pranë janë edhe picetat higjenike për femrat…
Një ndalesë e vogël…po këto me masa janë…?
Nuk e besoj! Gjithsesi, për të qenë brenda, marr 3 lloje të ndryshme, i bindur që me njërin lloj do kem qëlluar në shenjë.
Ora 11:48
Më në fund!
Eci i lehtësuar drejt kasës.
Ja dola, i mora të gjitha. Kam të drejtë të jem krenar. Familja ime ka këto ditë një burrë që arrin të suportojë familjen e tij. Nënqesh me
ironi teksa më kujtohen kritikat e familjarëve se unë jam kokrra e dembelit dhe nuk e çaj kokën për hallet e shtëpisë.
Imagjinoj fytyrat e mallëngjyera të familjarëve ndërkohë që futem
triumfator në shtëpi, me qeskat plot. Karantinimi do të jetë më i lehtë.
E mposhta armikun e padukshëm Covid!
Kjo është luftë dhe unë fitova!
Ora 11:49
Kasa përballë! I tmerruar shoh që janë nja 8-9 vetë përpara.
Mooos!
Rindez instiktet luftarake dhe tentoj të futem dhunshëm pa radhë. Nuk mundem…tubat anësorë nuk lejojnë më shumë se një njeri e gjysëm të kalojë. Dhe unë jam i bëshëm. Po të isha i hollë do të mund të kaloja duke u shtyrë.
Mbetet të shpresoj tek shpejtësia e kashieres!
Ora 11:57
Një autoblindë, me tre ushtarë sipër saj ndalon tek hyrja e supermarketit. Zbresin të tre dhe i pari i tyre futet dhe, me një zë
ushtarak, bërtet.
– Kujt i mbaron leja në orën 12:00 duhet të dalë urgjent ngadyqani! Ju duhen disa minuta deri sa të arrini në shtëpi! Na ndihmoni
qytetarë! Ne po ruajmë jetët tuaja! Në rast se kalon ora e liridaljes mund të përfundoni me gjobë ose burg!
I pafuqishëm, me sytë me lot dhe me kokë të varur detyrohem të lëviz drejt daljes.
Nuk ja dola! Covidi e fitoi luftën me mua…
Unë quhem Edi dhe e humba luftën…