Nga Stefan ÇAPALIKU
Unë nuk e di mirë se kujt i duhet drejtue njeriu që ka frikë se do të dënohet për mëkatin e heshtjes. Zotit?! Po kush e di adresen e tij? Lutu! Lutu, më thotë një za nga brenda dhe Zoti do e dëgjojë lutjen tande dhe ka me të çlirue prej këtij mëkati. Ti do flasësh. Do keshë mundësi të shkarkohesh, t’i drejtohesh atyne që e kanë në dorë që ta zgjidhin hallin që ke.
Po kush janë këta që e kanë në dorë ta zgjidhin hallin që kam? Kryeministri?!! Ministria e Kulturës, Kryetarja e Bashkisë, Deputetët e Shkodrës, Qytetarët ndoshta?!!! Nuk e di. E vetmja gja që di asht se Kafja e Madhe, monumenti ma konsakral, memoria e qytetit, legjenda e tij urbane, vendi i takimit dhe i vëzhgimit, po na shkatërrohet.
A doni ju o shkodranë t’ju prishet para sysh, në vitin 2016, Kisha dhe Xhamia e shpirtit tuej qytetar? Nëse jo, mbrojeni! A doni ju o shqiptarë që qyteti i Shkodrës, përjetësisht i njohun si djepi i kulturës, të mbesë pa djepin e vet, Kafen e Madhe? Nëse jo, mbrojeni!
Në vitin 1920, ngrehinën e Kafes së Madhe e kishte fillue së ndërtuemi Familja Ashiku dhe për rrethana të panjohuna prej meje Ashikët ia shitën familjes Luka. Lukajt e blenë godinën të papërfundueme. Mirëpo edhe Lukajt ia dhanë godinën në pajë vajzës së tyre Filomenës, e cila u martue me Gulielmin. Zotni Gulielmi për rastësi kishte edhe ai mbiemrin Luka, edhe pse s’kishte të bante fare me farefisin e së shoqes. Mirëpo edhe “Çifti i lumtur Luka” nga ana e vet solli në jetë vetëm vajza (Njena syresh u martue me një pinjoll të familjes Mozali).
Në fund të vitit 1945 Kafja e Madhe, si të gjitha objektet e tjera tregëtare të qytetit të Shkodrës, kaloi në duart e shtetit, duke ruejtë jo vetëm destinacionin si bar, restorant dhe hotel, por bukur mirë edhe famën e vet. Madje në vitin 1960 u shpall monument kulture, status juridik ky që në dijeninë time nuk i është heqë ndonjëherë. Madje në vitin 2007 i asht riforcue klasi.
Në kuadër të gëzimit të statusit “Monument kulture” Kafja e Madhe pati një restaurim mjaft profesional në vitin 1987-1988 dhe shkëlqeu edhe njëherë në varfërinë e thellë të atyre viteve.
Pas viteve të andërrta 1990 godina u dha me qira nga pronarët e vet të shumtë tashma. Kjo ka qenë një periudhë e shkurtër 1992-1997. Në fillim u shndërrua në sallon lojnash fati e mandej sërish në një restorant, që nuk të grishte. Ma vonë Kafja e Madhe pati edhe një vernisazh tjetër edhe ma të shkurtë e edhe ma të palavdishëm në vitet 2001-2003.
Mandej historia e saj mbyllet me një tentativë për zjarrvumje, e finalizueme prej një Happy End-i, nga komshitë zjarrfikës. Tani, sigurisht që Kafja e Madhe është e dikujt. Atij që e posedon i urojmë që ta gëzojë, por duke e kujtue, sërish me dashamirsi, se po aq sa asht e tij, po kaq asht edhe e jona, me të vetmin ndryshim që ne këndej nuk kërkojmë hise.
Dhe kjo jo vetëm sepse jetojmë në një epokë ku e mira private me atë publike bashkëjetojnë në paqe, por edhe sepse në atë vend kemi lanë pjesë të randësishme të jetës sonë të shkurtë. Dikush madje ka lanë gjithë jetën, dikush një pjesë, dikush kujtimet, dikush ka lanë vendin e takimit, që ia ka ndërrue rrugën, dikush tjetër do që ta ketë aty vendtakimin e vet…
2.
Aty ngjitë me Kafen e Madhe, në një tjetër bar, në Kafe Adriatik, që u pat shembë për me ndërtue një pallat, pat ndejë Migjeni. Dhe a e dini pse? Se ishte i vetmi vend nga ku mund ta kundroje Kafen e Madhe nga jashtë pa ia trazue vemëndjen askujt. I ulur në një cep, ashtu kambë përmbi kambë, me filxhanin e personalizuem të kafes, për shkak të tuberkolozit, Migjeni e pat thirrë Shkodrën “Dashnorja e shekujve”.
Pah… cfarë metaforet! Prej andej ai, ashtu asocial, vërente hymje-daljet e njerëzve prej shtresës së mesme dhe të lartë, “Studentit në shpi”, të huejve, diplomatëve, ushtarakëve, intelektualëve, por edhe malcuerve dhe katunducëve, që ia mbushnin mandej vrapit për të shitë mend se kishin qenë në Shkodër e se e kishin thekë nga një gastare në Kafe të Madhe. Kështu atbotë funksiononte Kafja e Madhe. E thjeshtë. Intime. Me një mobilim të randë. E paqme. Serioze. Një Dionis (Baku), i gdhendun para, mbi një harkadë e poshtë një ballkoni. (Thoshin dikur se arkitekti Kolë Idromeno, pat realizue autoportretin e vet të zgërdhim prej pijes e pleqnisë). Një çift kolonash, imitacion dorik. Harkada. Grila.
E gjitha, vendosë në harmoni me rrugën, që pat konceptue vetë Idromeno. Ky konstruksion i stilit austro-hungarez, me gjasë identik me lokalet e Vjenës të periudhës së Habsburgëve, kishte në qendër një hapësinë të madhe, mbushë me pasqyra, një seri tavolinash, një bilardo majtas, banakun në qendër, djathtas të cilit rrinte orkestra, një çetë muzikantësh të talentuem, që njihnin me dhambë e dhëmbadh klientat e gjithmonshëm. Ja si na e përshkruen Primo Shllaku këtë atmosferë në një tregim të vetin të quejtun “Muzikantët”:
Kafja hapet gjithmonë në orën gjashtë fiks. Ora e murit troket gjashtë herë kur akrepi i madh ende s’ka shkue te dymbëdhjeta. Tingujt e saj mbushin lokalin dhe vibrojnë gjatë në të gjitha skutat e tij. Mandej askush s’e ndigjon ma orën e lokalit. Kur mbushet me klientë, kafja pushtohet prej të folunave njerzorë dhe unë s’e ndigjoj ma gongun e saj melodioz.
Na jemi nji orkestër e vogël. Vendin e kemi në ballë, djathtas, kur hyn. Pak para nesh fillojnë tavolinat. Kur bâjmë pushimet, rrallëherë na qëllon të ulemi në to. Prandej pushimet i kalojmë në karrigat tona të orkestrës. Ulim veglat përtokë, shihemi në pasqyrën e madhe që kemi mbas shpine, rregullojmë flokët e, gjithsesi, nuk mbetemi pa e gjetë nji temë bisede. Due të them se del njeni prej nesh që hap nji bisedë, e cila zgjat sa pushimi ynë.
Mandej fillon prap muzika dhe na pothuejse gjithnji e kemi të vshtirë me mbajtë mend se për çka ishim tue bisedue në pushimin e maparshëm. Kurr nuk ka ndodhë që në nji pushim mes pjesësh muzikore na të kemi hapë nji temë bisede e që orari i muzikës ta ketë ndërpre e mandej ta kemi vazhdue prap. Bisedat tona ishin tamam të bame përmasë të pushimeve tona. Ato ishin të sakta, të kronometrueme dhe s’lypnin kurr kohën e dy pushimeve për t’u zhvillue.
Unë kam fitue krejt padashje nji zakon. I vê shêj gjithmonë njeriut të parë që futet në lokal, kur ai hapet në orën gjashtë. Deri në orën gjashtë e gjysëm lokali ka ende vende. Zanat e klientëve ndigjohen ose edhe nuk ndigjohen fare. Lokali ka hapsinë. Qëllon bile që unë e ndigjoj gongun te ora gjashtë e gjysëm, i cili bie kur akrepi i madh s’ka shkue ende te gjashta. Mandej, si pa kuptue, salla mbushet, bota gumzhin.
Kamarierët ndërtojnë rrugët e tyne ma të çuditshme kryq e tërthuer tavolinave e mrekullisht dancojnë mes nji bote që, prej ktu ku jam unë, s’âsht veç nji rromujë që s’i kapet filli. Na jemi njerz që punojmë me vesh dhe, kur zukatja e lokalit bâhet gati nji send i kapshëm në ajrin e saj, na e ndjejmë se âsht ora e jonë. Pak akordime, dy-tri cijzje të violinës, trompisti fryn bulshîjtë, bateristi rregullon brushat, nxeh ajrin e daulles së madhe dhe shikimet tona që takohen si gota të nji dollie të përsëritun, na fillojmë zanatin tonë, muzikën. Aso kohe fotografët e famshëm të qytetit, Marubët, Pici e Jakova na kanë dëshmue se fasada e saj ishte velari ma i mrekullueshëm për me ba foto eksterieri, siç asht edhe rasti i kësaj foto historike të vitit 1938, ku kanë dalë miqtë Asdreni me Lasgush Poradecin, Lola Gjokën e Tafta Tashko Koçon të mirëpritun prej shkodranit Ernest Koliqi.
3.
Mbas Lufte asaj kafe nuk i munguen klientët e vet simpatikë. Fillimisht vëllezënit letrarë Arshi e Muzafer Pipa; fill më pas Qemal Draçini e Ramadan Sokoli; Zef Zorba e Ernest Perdoda etj, etj, thua se rruga për në burg kalonte nga Kafja e Madhe. Si duket te Kafja e Madhe punonte pa pra farka e madhe e kalitjes qytetare. Sigurisht që aso kohe Kafja e Madhe do të ketë qenë e mbushun edhe me spijunë të sigurimit, të egër në orët e para të mbasdites e gjithnjë e ma të langët ndër orët e vona të darkës.
Asht interesant sesi në periudhën e komunizmit një pjesë e madhe e barcaletave kundër sistemit e kishin origjinën te Kafja e Madhe. Shumë syresh nisnin me fjalinë: ”Ishin njiherë tue pi te Kafja e Madhe Filani me Fistekun…” ose “U takuen nji ditë para Kafes së Madhe një katundar me një qytetar..”. Dhe kjo ndodhte jo theshtë se te Kafja e Madhe ti mundeshe me takue Tefë Palushin me Bik Pepën apo Mergim Mujën me Nexhon apo Paulin Selimin me Tano Banushin apo… (Më fal o Zot se nuk mund t’i permendi të tanë ngaqë asht artikull gazete e jo rrëfim në kishë), por sepse “anonimati” i Kafes së Madhe ishte gjithmonë autori me “A” të madhe. Te Kafja e Madhe përshembull kam ndejë me Pjetër Gjinin. Aty ai më ka tregue sesi u pat ngatërrue me Dom Ndre Mjedën mbasi kish botue poemën “Malcori në Paris”, që Dom Ndreut ia kishte çue të tanë dreqnit përpjetë.
Ne kena tanë jetën që mundohena me e naltue malcorin tonë e ti me nji vjershë po don me na e përbaltë?!!! i pat bërtitë ai Pjetrit të shkretë. E po aty kam pa duke folë për dramën e ardhshme edhe Serafin Fankun me Fadil Krajën si dhe futbollistat e “Vllaznisë” duke pi fshehtazi ndonjë birrë. Në ato fillime të viteve ’90 mbështetë ndër kolona të saj e kemi andërrue Shqipnin si të gjithë Evropën. Aty përpara saj ishim gati me u rrahë me gjithkend që do kish guxue me thanë se, Prite Zot, viti 2016 jo vetëm që kishte me na gjetë jashtë Evrope, por edhe pa Kafen e Madhe.
4.
Të dashtun bashkëqytetarë të mi e të nderuem zotni që jua përmenda “Fundksionet” në krye të këtij shkrimi, mos ta lamë Kafen e Madhe, se po e lamë atë kemi lanë kujtesën tonë. Nëse duem të jetojmë si njerëz pa kujtesë dhe të udhëhiqena prej motos “Le ta bajmë Shkodrën si Librazhdin”, atëhere PO: JUA LUMSHA! /Gazeta Mapo, Tiranë, më 8 Shkurt 2016/