Ministrja e Drejtësisë, Eltida Gjonaj gjatë fjalës përshëndetëse në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve ka dhënë mesazhe inkurajuese zgjedhjes së anëtarëve të KLP.
Gjonaj ka theksuar se rruga e reformimit të sistemit të drejtësisë ka qënë e vështirë dhe se për të arritur në këtë ditë janë përballur me shumë vështirësi dhe kundërshtime, por falë ndihmës së shumicës prej gjyqtarëve u arrit të hapej një faqe e re për sistemin e drejtësisë, duke e bërë atë të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm.
“Duke reflektuar mbi problematikat dhe mangësitë e vërejtur të deritanishme të KLD-së me ndryshimet kushtetuese dhe legjislacionin e ri të reformës në drejtësi, kemi ndërtuar kuadrin e nevojshëm ligjor që Këshilli i Lartë Gjyqësor të garantojë pavarësinë, atë pavarësi reale të gjyqësorit, mbrojtjen e të drejtave të gjyqtarëve, qëndrueshmërinë dhe promovimin e tyre në karrierë dhe njëherësh të vendosë standardet e duhura në llogaridhënie dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve në ushtrimin e detyrës, në respektim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve”, u shpreh ministrja.
Me ngritjen e KLGJ-së ministrja sqaroi se , sistemi i drejtësisë do mishërojë integritet, profesionalizm, meritokraci dhe përgjegjshmëri, duke i shërbyer më shumë se kurrë qytetarëve.
Sipas saj KLP dhe KLGJ do t’i kryejë funskionet e saj në një godinë të posaçme dhe gjithashtu do ketë dhe dyfishim të pagave.
“Duke filluar nga muaji tjetër, hyn në fuqi sistemi i ri i pagave dhe trajtimit financiar për gjyqtarët dhe prokurorët, duke sjellë të paktën dyfishimin e pagave tuaja si dhe duke rritur garancitë dhe përfitimet e tjera financiare. Gjithashtu, ju bëj me dije se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka tashmë në dispozicionin edhe godinën e re ku do të nisin ushtrimin e funksioneve të tyre. Pikërisht sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të orës 11:00 miratohet vendimi lidhur me godinën e re ku këto dy institucione sëbashku me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë do të ushtrojnë funksionin e tyre”, ka shpjeguar Gjonaj.
Ministrja nuk kurseu mbështetjen e përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së për ndihmën dhe përkushtimin e tyre, gjithashtu nuk la lënë pa përmendur dhe kreun e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori. Gjonaj la një mesazh për të gjithë gjyqtarët që të tregonin maturinë dhe përgjegjshmërinë e duhur për një proçes transparent e të përgjegjshëm për të zgjedhur më të mirët mes tyre.