Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri së bashku me nënkryetarin Faruk Mujka, të shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale sot kanë nënshkruar peticionin përmes të cilit kërkohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të iniciojë procedurën për Ndryshim-Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativ të Komunave, me qëllim bashkimin e qytetit të Mitrovicës, por duke mos cenuar në asnjë mënyrë integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Bahtiri theksoi se që nga sot fillon peticioni për bashkimin e Mitrovicës.
Ky peticion ka shtrirje në tërë Kosovën. Në Mitrovicë janë vendosur pesë pika, duke filluar para objektit të ndërtesës komunale, tek sheshi i qytetit, në afërsi të stacionit të autobusëve, tek xhamia ”Isa Begu”, ku qytetarët kanë mundësi të nënshkruajnë këtë peticion. Kryetari i Mitrovicës i ka bërë thirrje edhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli që është nga Mitrovica që të nënshkruaj këtë peticion.