Pas dy vitesh pezullim, Bashkia e Tiranës ka rinisur punimet për rikonstruksionin e plotë të godinës së kopshtit nr. 17 në Njësinë 7, i cili shumë shpejt do të ofrojë kushte bashkëkohore për më të vegjlit e qytetit. Punimet që po kryhen në këtë kopsht u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se viti 2017 do jetë një vit më i mirë edhe se viti që lamë pas, sidomos në punët që i shërbejnë fëmijëve.
“2016-ta ka qenë një vit fantastik! Tani nuk krahasohemi me atë që gjetëm, por me atë që bëmë në vitin tonë të parë. Ndaj, edhe këtë vit të dytë e fillojmë me një kopësht të ri. Një lajm i mirë për 120 fëmijë, të cilët janë edhe 120 qytetarë të ardhshëm të Tiranës, që do të rriten në kushte më komode”, tha Veliaj.
Ai shtoi se ky kopësht do të përfundojë brenda një kohe të shkurtër dhe do të ofrojë kushtet dhe standardet më të mira për fëmijët.
“Po sigurohemi që ky kopësht t’i ketë të gjitha kushtet e nevojshme për fëmijët, të ketë komoditet, një kënd lodrash, ngrohje etj. Siç e dini, Tirana që trashëguam ishte një Tiranë ku mbi kabinën elektrike ngrihej pallat pa leje, i cili legalizohej nga ata që në 2013 bënë kërdinë në tranzicion, prandaj na duhet të gjejmë një vend për një kabinë të re, për një kaldajë të re, për instalime të reja”, theksoi kryebashkiaku.
Veliaj falenderoi të gjithë prindërit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin që treguan edhe gjatë ditës së hënë, kur edhe rinisën aktivitetin çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Kopshti nr. 17 do të akomodojë 120 fëmijë të ndarë në 4 grupe. Ai ka pësuar një zgjerim nga ana funksionale të hapësirave dhe do të ketë një hyrje të re.
Po ashtu, janë riorganizuar hapësirat e fjetjes, ngrënies dhe tualeteve. Falë këtij investimi do të instalohet sistemi i ngrohjes në të gjitha ambientet e kopshtit. Gjithashtu, do të kryhen edhe punime hidraulike dhe elektrike. Ndryshime do të pësojë edhe oborri ku do të krijohen edhe 2-3 kënde lojërash për fëmijët.