Anëtari i Kryesisë së PD, Arben Ristani ka denoncuar sot qeverinë mbi projektin për të kthyer në ligj një nga pyetjet e bëra në Këshillimin Kombëtar, ajo e përjashtimit të gjyqtarëve e prokurorëve nga sistemi pa veting. Ristani tha në një deklaratë për mediat se “kjo ndërhyrje e qeverisë tek gjyqsori” është një “alarm tronditës për sistemin demokratik”.
Deklaratë e anëtarit të Kryesisë së PD, Arben Ristani
Këshillimin Kombëtar, një letër dhe zarf që nisi qeveria para disa muajsh derë me derë, dhe që shkelej me këmbë nëpër hyrje banesash, besoj e mbani mend. As qeveria nuk e ka harruar, dhe do të kthejë së shpejti në ligj një prej pyetjeve, e cila po sipas qeverisë, është miratuar nga populli.
Pyetja 10, nga 12 gjithsej, ishte: Ka njerëz që thonë se gjyqtarët dhe prokurorët, që nuk kanë kaluar ende Vetingun, duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë, nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin, ndërsa të tjerë thonë, se pezullimi dhe përjashtimi nga sistemi duhet të kryhet sipas procedurave në fuqi.
Si mendoni ju? Pyet qeveria.
Sipas qeverisë, që vetë i bën pyetjet dhe vetë plotëson përgjigjet, 74 përqind e popullit e mbështesnin Po-në, pra faktin se gjyqtarët dhe prokurorët duhen pezulluar automatikisht.
Mesa duket, populli sipas qeverise, qe njeh mire dhe profesionalisht sistemin e drejtësisë, nuk duket te jete dakord edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila, e ka shpallur antikushtetues dënimin e gjyqtareve për vendimet e tyre dhe ka shfuqizuar dispozitën e Kodit Penal për këtë çështje.
Alarmi i parë që duhet ngritur, madje me gjithë fuqinë dhe mundësinë, është goditja me e rende dhe mu ne zemër, qe qeveria po planifikon ti japë sistemit demokratik shqiptar, duke rrënuar një nga shtyllat kryesore mbi te cilat ky sistem ngrihet, pavarësia e gjyqësorit.
Sa sipër, është e vetëmjaftueshme për të treguar gjëmën e radhës, por edhe dilema te tjera pasojnë.
Janë disa dilema që lindin:
Kush e përcakton nëse vendimmarrjet e gjyqtareve, janë ose jo, haptazi në kundërshtim me ligjin?
Pse duhet të ketë komisione apo ‘grupe të gatshme’, që ngrihen për të penalizuar gjyqtarët?
Pse duhet dubluar vetingu? Ka rënë besimi te vetuesit e huaj, apo ata janë pengesë dhe mund të kalojnë gjyqtarët apo prokurorë, që drejtësia e partisë nuk i preferon?
Sa mundësi ka qe një nismë e tillë, të përdoret si gjueti shtrigash. Pra, si rast për të eliminuar gjyqtaret e pabindur, ata që shkelin vijën e partisë, e me radhë.
Dhe, së fundmi, pse duhet të përfshihet ekzekutivi në përcaktimin e trupave gjyqësore dhe të gjejë se kush bën apo nuk bën?
Çfarë ndodh, në këtë rast, me parimin standard perëndimor të ndarjes së pushteteve?
Partia Demokratike e dënon këtë ndërhyrje të re flagrante të qeverisë në punët e gjyqësorit, dhe e cilëson si asgjë më shumë se përpjekjen e radhës për të zhbërë demokracinë dhe për te kontrolluar çdo skutë, apo kapur çdo zyrë të drejtësisë.
Kjo çorbë e prishur që po gatuhet në kuzhinën e qeverisë është alarm tronditës për sistemin demokratik. Ajo do të helmojë si sistemin e drejtësisë, ndërkohë të ekspozuar para brutalitetit qeveritar, por edhe atë pak besim të mbetur të qytetarëve te drejtësia e re.