Nga Gent Strazimiri
Një “drejtësi” si kjo e Yurit…?!
“A na ka ndodhur ndonjëherë më parë të arrestohen kaq shumë ministra, deputetë e zyrtarë të një qeverie në pushtet?”
Kjo është pyetja retorike që bëjnë “dishepujt e Yurit” kur duan të argumentojnë se “drejtësia e re” eshtë një “histori suksesi”!
Përgjigja është: Po, ka ndodhur!
Ka ndodhur në vitet 1948-1951 kur u arrestua Ministri i Brendshëm Koçi Xoxe dhe “entourage” i tij.
Ka ndodhur në 1956 kur u arrestua gjenerali, “Heroi i Popullit”, Prokurori Special dhe disa herë ministër Bedri Spahiu.
Ka ndodhur më tej në 1960 kur u arrestua Teme Sejko, admirali i Flotës Detare, dhe ish Shefi i Sigurimit të Ushtrisë…
Ka ndodhur në 1974-1976 kur u arrestuan Zv.kryeministri dhe ministri i Ekonomisë Abdyl Këllezi, ministri i Tregëtisë Kiço Ngjela, e më tej ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Petrit Dume etj…
Ka ndodhur në 1981-1982 kur “vetëvranë” Kryeministrin Mehmet Shehu dhe arrestuan Ministrin e Brendshëm Feçor Shehu, Ministrin e Mbrojtjes Kadri Hazbiu, Ministrin e Shëndetësisë Llambi Ziçishti, Ministrin e Tregëtisë së Jashtme Nesti Nase… etj.
Të gjithë ishin edhe “deputetë”, bashkëpunëtorët më të ngushtë të “Të Madhit”!
Ca ishin “Hero i Popullit”, ca “Hero i Punës Socialiste” e ca të tjerë ishin me të dy “heroizmat” në gjoks…
Së bashku me “Të Madhin” i kishin bërë të pabërat edhe atëherë, por njësoj si sot “I Madhi nuk dinte gjë”…
Kështu i pati rezultuar “drejtësisë së re” edhe atëhere… si sot!!!
Ca nuk u dënuan për të pabërat që vërtetë kishin bërë bashkë me, apo me urdhër të “Të Madhit” por, për ca gjëra që as u kish shkuar në mend t’i bënin…
Mirëpo kështu pati vendosur “drejtësia e re” edhe atëhere… si sot! Edhe atëhere, vendimi që jepte “drejtësia e re”, nuk diskutohej, vetëm duartrokitej… si sot!
Kështu që deri këtu, asgjë nuk ka ndodhur për herë të parë, përkundrazi!
Ajo që është surprizë në këtë situatë, dhe që ndodh vërtetë për herë të parë në këto 33 vjet, është fakti se po përsëritet i njëjti ritual, i orientuar politikisht madje edhe më brutalisht se 34, 44, 54 a 64 vjet më parë…
Këtë vërtetë askush nuk e priste!!!
Ky nuk ishte sukses atëhere, e nuk mund të jetë sukses as sot, përkundrazi!
Surprizë më alarmante se kjo, zorr se do kishte marrë ky vend!
Pas 33 vitesh kjo “surprizë” që nuk e priste askush drejtohet po me paradeklarim politik, po nga “I Madhi”, po nga e njëjta “Parti” që e bëri edhe atëhere, me metoda identike, madje edhe me personazhe krejt të përafërt me ata të mëparëshmit, pasi “Partia”, si çdo bandë, nga po ato familje drejtohet edhe sot…
Gjatë qeverisjes së parë, “Partia” kreu punë shpejt e shpejt me kundërshtarët e vërtetë politikë, ose me ata që nuk arritën të ikin!
I vrau grumbuj grumbuj me plumb, kryesisht pa gjyq, të gjithë të lënë pa varr…
I vrau edhe atëhere si “armiq të atdheut” (një lloj “non grata” e kohës), burrat që shkrinë jetën e pasurinë për atdhe, duke nisur nga firmëtarët e “Aktit të pavarësisë”…
Sot, këtë e ka të pamundur, të paktën jo masivisht, ama “drejtësisë së re”, të “Partisë”, të drejtuar nga “I Madhi” askush nuk do i shpëtojë… si atëhere…
Këtu e 33 vjet më parë nuk ishim të lirë ta kundërshtonim, kështu u vendos në një takim në Jaltë, kur u hoqën ca viza me laps në hartë…
Na ra për hise “lapsi i keq” në dorë mizore…
Në emër të stabilitetit dhe mënjanimit të luftës, që për ata që vendosën ishte “e ftohtë”, ende sot nuk po gjejmë eshtra patriotësh, të pafajshmish…
Ende sot paguajmë dëmin që bëri “drejtësia e re” e drejtuar nga “I Madhi”, i cili mbetet shqiptarvrasësi më madh i shekullit XX.
Në shekullin XXI, falë ca burrave e grave që njësoj si ata “armiqtë”, “non gratat” e kohës që i vrau “drejtësia e re” e Dvoranit, guxuan, atë “lapsin” e kemi në dorë vetë dhe kemi zgjedhur anën e lirisë.
“I Madhi”, “drejtësia e re” dhe cilido që mendon se sfidon me fuqinë e pushtetit lirinë tonë, i hyn një aventure që fundi i dihet…
Unë për vete e pranoj si sfidë!
Një rast i mirë për të rregulluar ca gjëra që nuk i bëmë dot siç duhet 33 vjet më parë!