Kur shpërtheu eksodi masiv i shqiptarëve kryesisht drejt Gjermanisë, vendin tonë e vizitoi një personazh interesant. Kardinali Rainer Maria Woelki i një prej dioqezave më të të mëdha në Gjermani, asaj të Këlnit, mbërriti për të kuptuar më qartë arsyet e këtij vërshimi të pazakontë në kohë paqeje.
Nuk ishte parë ndonjëherë që një qeveri e majtë të dëbonte kaq shumë njerëz nga rajoni më i varfër i vendit. Teksa ky eksod vazhdon dhe rajoni i Kukësit vetëm varfërohet, kardinali udhëtoi drejt zonës verilindore. Në një intervistë për median gjermane, ai tha se kaloi në një autostradë të mrekullueshme, ndërsa për zonën në fjalë tha se ajo ishte hyjnore, një fjalë që rrallë përdoret nga një njeri i kishës.
Zoti nuk i ka lënë mangut gjë këtij vendi, por ai tha se arsyet e këtij vërshimi duhet të kërkohen te korrupsioni masiv dhe te mungesa e investimit te njeriu, duke theksuar me forcë sistemin shëndetësor të rrënuar.
Këto ditë është rikthyer sërish një histeri reagimesh për mbërritjen e të huajve në vend, një histeri që kryeministri i vendit, Edi Rama, e ushqen sa herë ka nevojat e tij personale. Por nuk mund të mos vësh re me shqetësim tonet raciste të komenteve të njerëzve në rrjetet sociale për afganët, por edhe për të tjerë të huaj që kanë ardhur në Shqipëri dhe që mund të vijnë në një të ardhme të afërt.
Ky shqetësim kishte rënë në vëmendjen e ‘Zërit të Amerikës’, i cili në një raportim të gjatë theksonte se tonet raciste kanë ngjyrime politike. Meqë qytetarët që ankohen për afganët e lidhin këtë gjë me keqqeverisjen e Edi Ramës, i bie që ata janë populli opozitar i këtij vendi. Ky është një lajm i keq që e bën Edi Ramën të fërkojë duart pasi e sheh se skema e tij po funksionon.
Ai dhe stafi i tij mezi e presin momentin për të treguar nëpër botë se shqiptarët janë fashistë, janë llum, talibanë dhe racistë, siç po i etiketon vetë kryeministri me gjuhën e tij të zezë. Duke kërkuar leje nga Perëndimi për të qenë stabilokrat në një vend që për ironi është model kur bie fjala te bashkëjetesa, besa dhe mikpritja, ai po përdor një fenomen që në psikologji njihet si zhvendosja (displacement). Kjo ndodh kur mendja zëvendëson një ose disa kërcënime të mëdha me një kërcënim tjetër të vogël.
Ivan Krastev është një nga politilogët më të njohur në Ballkan dhe Europë. Së bashku me Stephen Holmes ai ka publikuar një libër ku përpiqet që të shpjegojë krizën e demokracisë në vendet postkomuniste.
“Drita që dështoi: Pse Perëndimi po humbet luftën për demokraci”, është një libër ku ngrihet shqetësimi për shtimin e drejtuesve autokratikë në Europën Lindore, të cilët e demonizojnë opozitën, janë super të korruptuar dhe kanë krijuar një frymë kundër emigrantëve me anë të ‘zhvendosjes’.
Edhe pse këto vende nuk janë kërcënuar realisht nga flukse emigratore, sërish këta liderë autokratë ia kanë dalë të krijojnë histeri kundër të huajve.
“Histeria për emigrantët non-ekzistentë që do të pushtojnë vendin përfaqëson zëvendësimin e një rreziku iluzor (emigracioni) me rrezikun real (shpopullimi dhe kolapsi demografik)”, shkruajnë autorët.
Edhe pse Shqipëria mund të jetë pak më mirë se Afganistani a Bangladeshi në disa drejtime, këto avantazhe zerohen pasi gjithkush e di se çdo emigrant nuk është kurrë i barabartë me një vendas. Këtë e di çdo shqiptar që ka emigruar dhe e di sa i dizavantazhuar ka qenë edhe në vende që njihen për aftësi të larta absorbuese të emigracionit.
E kështu krejt papritur askush nuk flet më për largimet masive nga vendi, askush nuk flet për shëndetësinë në kolaps, askush nuk flet për mbi 15 mijë viktima të panumëruara nga virusi, askush nuk flet për arsimin në gjendje mizerabël, askush nuk flet për zgjedhjet e vjedhura, askush nuk flet për krimin që është më i fortë se shteti dhe vazhdon të vrasë në mes të qyteteve, askush nuk flet për drogën që ka pushtuar çdo portë hyrëse dhe dalëse në vend, askush nuk flet për miliona euro që duhet të paguajmë si gjoba për arbitrazhet, për qindra miliona euro korrupsion me inceneratorët, për drejtësinë që nuk ekziston më, për median që i bën fllad vetëm një njeriu, etj.
Dhe siç ndodh rëndom në vende iliberale, nisin e shpiken edhe teori për projekte konspirative qeveritare, kur i vetmi projekt i Ramës është thjesht që të mos flitet për abuzimet që vazhdojnë çdo ditë nën hundën e shqiptarëve. “Shteti është një bandë hajdutësh të mëdhenj,” thoshte Murray Rothbard. Por bandë të tillë si kjo e Rilindjes nuk kanë parë ndonjëherë shqiptarët. Hajdutë dhe zemërzinj.