Kur kanë kaluar më shumë se dy vite nga nisja e reformës në drejtësi një pjesë e institucioneve të reja janë ende të pa plota dhe jo plotësisht funksionale. Çdo afat i vendosur edhe ne Kushtetutë për ngritjen e tyre është shkelur.
Aktualisht kemi një Gjykatë të Lartë me tre anëtarë të zgjedhur dhe një në detyrë, nga 19 anëtarë që duhet të ketë në total.
E njëjta situatë paraqitet edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila aktualisht ka 4 anëtarë, 3 prej të cilëve të emëruar dhe 1 në detyrë.
E paplotë është edhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e cila ka 9 prokurorë të emëruar dhe dy të komanduar nga 15 që duhet të ketë minimalisht.
Sikur të mos mjaftonte kjo, ende nuk është zgjedhur edhe drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili do të përzgjedhë edhe stafin me oficerë të policisë gjyqësore, të cilët duhet të trajnohen në SHBA për 3 muaj.
Edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë është një institucion që ka vetëm kreun e saj dhe nuk ka ende një staf për të kontrolluar shkeljet që mund të bejnë prokurorët apo gjyqtarët.
Nga ana tjetër shumë pak prej gjyqtarëve në Gjykatën Kundër Korrupsionit janë të emëruar pasi pjesa tjetër që ka shprehur interesin janë ende në pritje të vettingut.
Mangësi në gjyqtarë kanë edhe gjykatat e rretheve dhe ato të Apeleve.
Faktorët kryesorë që ka ndikuar në keto vonesa është bërë pikërisht procesi i vettingut, i cili duhet të kalojë ne filtër 800 gjyqtarë e prokurorë, por që deri më tani në shkallën e parë kanë kaluar vetëm 256 prej tyre.
101 kanë mundur ta kalojnë provimin në shkallën e parë të vettingut, ndërsa pjesa tjetër është shkarkuar ose është vetëdorëhequr nga detyra.