SPAK ka ankimuar vendimin e GJKKO për Fatmir Mediun, ku u vendos që të mos riniseshin hetimet ndaj tij për çështjen e Gërdecit.
Pas rrëzimit të kërkesës së GJKKO-së për rihapje të hetimeve, stuktura e Posaçme iu drejtua këtë të hënë apelit, ku kërkon riçelje hetimesh për ish-ministrine mbrojtjes, i akuzuar për shpërdorim detyre për shpërthimin e Gërdecit.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela vendosi pak ditë më parë që të rrëzojë kërkesën e SPAK sa i takon rihapjes së hetimeve për Fatmir Mediun, në lidhje me çështjen e Gërdecit.
Në vendimin e zbardhur mes të tjerave nga ana e Gjykatës thuhet se hetimet për Mediun nuk do të nisin për shkak se prokuroria nuk ka pasur pengesa në këto 10 vite për të hetuar, dhe tashmë çështja është parashkruar.
Sa i takon kësaj pike në vendimin e GJKKO thuhet shprehimisht: “GJKKO çmon që të evidentojë se edhe pse kuadri kushtetues dhe ligjor përcakton se deputeti nuk gëzon imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij konstatohet se që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se 8 vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale megjithëse tashmë nuk ishte më e nevojshme që të kërkohej të jepej autorizimi nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Pra, nga vitit 2012 deri më datë 1 Gusht 2017 kur hynë në fuqi ndryshimet e K.Pr.Penale me Ligjin Nr. 35/2017, prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit. Në kushtet kur prokuroria nuk e ka ushtruar ndekjen penale për një periudhë mbi dhjetë vjet edhe pse nuk ka pasur një pengesë të tillë, Gjykata çmon se ajo nuk mund të ushtrohet më tashmë bazuar në nenin 66 gërma “b” të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 gërma “d” të K.Pr.Penale””.
Një tjetër pikë e vendimit të Gjykatës së Posaçme që vlen të theksohet është ajo ku thuhet se një person nuk mund të gjykohet dy here për të njëjtën çështje, dhe SPAK nuk ka hapur asnjë hetim të ri për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu.
“Neni 329/c i K.Pr.Penale përcakton rregulla procedurale për rastin e revokimit të vendimit të pushimit të dhënë nga gjyqtari i seancës paraprake dhe të dhënë për një vendim që lidhet me përfundimin e hetimeve paraprake. Neni 329/c i K.Pr.Penale nuk lidhet me një vendim të marrë pas shqyrtimit në themel të një çështjeje.
Neni 7 i K.Pr.Penale ndalon gjykimin dy herë për të njëjtin fakt. Rezulton se shtetasit Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj kanë paraqitur para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkesën me objekt: “Revokimin e vendimit të pushimit të ndjekjes penale të shtetasit Fatmir Mediu (vendimit nr. 6 dt. 14.09.2009 të Gjykatës së Lartë), kërkesëpër të cilën Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 317 akti dt. 30.04.2019 ka vendosur mospranimin e kërkesës vendim i cili lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit me vendimin nr. 950 dt. 08.07.2019 të saj.
Prokuroia e Posaçme nuk ka tagër që të bëjë një vlerësim të ndryshëm nga ai që ka bërë gjykata lidhur me kërkesën e këtyre shtetasve”, thuhet ndër të tjera në vendimin e firmosur nga gjyqtari Çela.
PJESË NGA VENDIMI:
Duke marrë për bazë datën 15.03.2008 (data e ndodhjes së ngjarjes), Gjykata çmon se, në rastin konkret, është parashkruar ndjekja penale pasi ka kaluar afati 10 vjecar i parashikuar nga neni 66 shkronja “b” i K.Penal. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me vendimin Nr. 7, datë 11.10.2002 lidhur me institutin e parashkrimit të ndjekjes penale dhe të ekzekutimit të vendimit penal ka theksuar se:
“Kolegjet e Bashkuara te Gjykates se Larte arriten ne perfundimin se edhe duke u nisur nga interpretimi logjik i shprehjes se perdorur nga ligjvenesi ne dispoziten e ketij neni ku thuhet: “Vendimi i denimit nuk ekzekutohet kur nga dita qe ka marre forme te prere kane kaluar…”, nuk mund te kete zgjatje te afateve te parashkrimit te ekzekutimit te denimit per asnjelloj shkaku….”. Pra,edhe pse shtetasi Fatmir Mediu ka marrë cilësinë e të pandeheurit nga data 11.02.2009 deri në datën 14.09.2009, Kodi Penal dhe Kodi i Procedures Penale nuk parashikon ndonjë dispozitë për nderpreren ose pezullimin e afatit të parashkrimit të ndjekjes penale.
Nga sa u pasqyrua më sipër, Gjykata çmon që të evidentojë se edhe pse Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në të dy vendimet e tij ka theksuar se të drejtën për të kërkuar autorizimin për procedim sipas ligjit e ka vetëm prokurori, nga tërësia e akteve procedurale dhe e provave që ndodhen në dosjen gjyqësore konstatohet se që prej datës 14.09.2009 (data e shpalljes së vendimit të pushimit nga Gjykata e Lartë) e në vazhdim, organi i akuzës nuk i kërkoi përsëri Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj ish – deputetit Fatmir Mediu, mungesa e të cilit nuk lejonte vazhdimin e procedimit penal.
Gjithashtu, Gjykata çmon që të evidentojë se edhe pse kuadri kushtetues dhe ligjor përcakton se deputeti nuk gëzon imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij konstatohet se që prej vitit 2012 (2) e në vazhdim (më shumë se 8 vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale megjithëse tashmë nuk ishte më e nevojshme që të kërkohej të jepej autorizimi nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Pra, nga vitit 2012 deri më datë 1 Gusht 2017 kur hynë në fuqi ndryshimet e K.Pr.Penale me Ligjin Nr. 35/2017, prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit. Në kushtet kur prokuroria nuk e ka ushtruar ndekjen penale për një periudhë mbi dhjetë vjet edhe pse nuk ka pasur një pengesë të tillë, Gjykata çmon se ajo nuk mund të ushtrohet më tashmë bazuar në nenin 66 gërma “b” të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 gërma “d” të K.Pr.Penale.
P Ë R K Ë T O A R S Y E :
Gjykata bazuar në nenin 112 dhe 329/c të Kodit të Procedurës Penale,
V E N D O S I :
Rrëzimin e kërkesës sëProkurorisësë Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga Prokuroria, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.