‘Nuk ka vend për panik’, Shano: Ulja e çmimit nuk bëhet me protesta, qeveria të ndërhynte te rezervat, nuk zgjidhet me Bord Administrimi

0
59
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Eksperti i Ekonomisë Dritan Shano, në një intervistë për gazetaren e Fax News Mirilda Tili, ka folur në lidhje me pasojat ekonomike që është duke sjellë në Shqipëri lufta mes Rusisë dhe Ukrainës.

Sipas Shanos në tregun shqiptar nuk ka vend për panik, pasi varësia nga Ukraina dhe Rusia është shumë e ulët.

“Kryeministri në këto 9 vite është ngazëllyer sa kohë që ka pasur momente të vështira, natyrisht që kemi pasur tërmetin. Kryeministri para se të zgjidhej tha se do të flinte në një krevat me shqiptarët, tani sjell luftën. Ne nuk jemi në një ekonomi lufte në Shqipëri, importet tona janë 3 herë më të mëdha se eksportet, por ky është një problem i yni, nuk është i të tjerëve.

Rritja e çmimeve është e induktuar nga qeveritë, pasi tentuan që të luanin “Zotin” gjatë gjithë periudhës së pandemisë, tentuan që ta shëronin ekonominë, me para nga bankat qëndrore, natyrisht që kjo do të prodhojë rritje çmimesh, dhe do të ndikojë te ne, sa kohë që jemi importues”, tha Shano.

Sa i takon protestave që qytetarët kanë mbajtur kundër rritjes së çmimeve, Shano tha se ulja e tyre mund të bëhet vetëm nëse shteti arrin të funksionojë si duhet, me të gjitha mekanizmat e kontrollit. Bordi i Administrimit të Karburanteve, nuk është zgjidhja sipas Shanos.

“Unë nuk besoj se protesta është mjeti i duhur për të ulur çmimet, protesta është mjeti i duhur për të detyruar qeverinë dhe entet e tjera që të bëjnë detyrën. UIja e çmimit do të ndodhë vetëm se këto instanca do të funksionojnë si duhet. Privati nuk interesohet për protestat.

Çmimi nuk është çështje bordesh, siç ka vendosur që të bëjë kryeministri i vendit, borde të tilla prodhojnë vetëm varfëri, nuk dua ta shaj kryeministrin, por nuk mund të ulësh në të tavolinë, edhe ministrat, edhe biznesin edhe autoritetin e konkurencës. Këto janë non sens, kjo ndoshta tregon një dëshirë për të kontrolluar gjithçka në terren.

Balluku ka dalë dhe thotë që do të kontrollojë rezervën, në një kohë që ligji e do që ky vend të ketë një rezervë, që të jetë e gatshme që të hyjë në treg në çfarëdo rasti. Ka dy mënyra për të krijuar rezerva, e para krijohet nga shteti shqiptar, dhe e dyta është kontrolli mbi sasinë e rezervave të privati”, tha eksperti.

Sa i takon rezervave, sipas Shanos ato janë të detyruara nga ligji në fuqi.

“Në rastin e nevojës, rezerva që kanë karburantet, mund të përdoren nga shteti për nevojat e veta. Unë i kam sugjeruar dy mënyra për të ndihmuar shqiptarët, e para është ndërprerja e koncensioneve dhe PPP-ve, të cilat mund të përdoren që shqiptarëve të mos u nxihet jeta, dhe e dyta përdor rezervën e karburanteve, që do të duhet ti kenë me ligj. Detyra do të ishte që ti të shkatërroje monopolin e karburanteve.

Ne kemi një ekspozim shumë të ulët tregtar qoftë me Rusinë, qoftë me Ukrainën, ekonomia jonë është shumë e vogël, sa nuk e ka vështirë që të gjej partner të rinj, në këtë situatë, gjëja e parë që mund të bësh, është të gjesh një partner të ri, i cili do të sjellë një ulje të marzhit të fitimit.

Mos kini panik, qeveria ka likuiditet, po ashtu edhe bizneset, që kanë 30 vite në treg, kanë mundësi për linja të reja furnizimi. Qeveritarët gëzojnë për situata të tilla, pasi këto fshehin keqqeverisjet e tyre, unë nuk mendoj se ka arsye për panik në lidhje me luftën. Ne duhet të kemi panik për mënyrën si qeveriset”, përfundoi Shano.

Zjarr Tv Ad