Kandidimi i Agron Shehajt për kryetar partie në PD ishte sot një lajm surprizë për të gjithë.
Të shumtë janë ata që e kanë mirëpritur këtë hap të tijin, ndër të cilët dhe kandidati për deputet i PD në Berat, Namir Lapardhaja. Ai shprehet i bindur se ky kandidimi i Shehajt është një shpresë dhe lajm i mirë për ringritjen e PD-së.
Duke gjykuar se biznesmeni i njohur ka qenë një model suksesi, Lapardhaja shprehet në rrjete sociale i bindur se ai mund ta shndërrojë Partinë Demokratike në një alternativë të besueshme.
Shënimi i plotë i Namir Lapardhasë
Agron Shehaj është një shpresë dhe lajm i mirë për ringritjen e PD-së
Në media lexova se Agron Shehaj ka shpallur kandidaturën për kryetar PD-je. Është një lajm i mirë dhe zhvillim pozitiv për ringritjen e saj. Shpresoj të jetë një ogur shprese për demokratët dhe qytetarët e këtij vendi.
Duke e ditur se si funksionojnë partitë tona, e kuptoj se gara do të jetë e vështirë. E kuptoj që edhe nëse ai do t’i ketë të zgjidhura punët e tij, për mbështetësit që duan të bëjnë karrierë, mund të jetë problematike. Por kjo është një kosto e njerëzve që guxojnë. Ata që jetojnë me frikë, nuk e meritojnë lirinë. Kjo vlen edhe për ata që duhet t’i bashkohen kësaj sfide.
Në këtë garë unë do të jem përkrahës i Agron Shehajt.
Sot nuk kam komente për kryetarin në detyrë apo për kandidaturat e tjera. Ashtu sikurse kam qenë e jam kundër mentalitetit stalinist të shpalljes dhe gjetjes së armiqve në radhët e njerëzve. Fatkeqësisht, partitë tona kanë një traditë negative në këtë drejtim.
Partia Demokratike vijon të jetë në opozitë. Pushteti, edhe pse korruptiv, është forcuar më shumë. Njerëzit kanë humbur shpresën.
Vetëm një sinergji e madhe fryme popullore mund ta kthejë alternativën e djathtë në forcë fituese.
Besoj se Agron Shehaj është një njeri normal, pa ngarkesa nga e kaluara, pa dritë-hije nga e tashmja dhe një derë e hapur për t’u provuar në të ardhmen. Duke qenë një model suksesi, ai mund ta shndërrojë Partinë Demokratike në një alternativë të besueshme.
Njerëzit nuk kanë nevojë për heronj, por për njerëz të zakonshëm që ofrojnë besueshmëri. Nuk na duhen liderë të fortë, por institucione të tilla. E keqja nuk na vjen nga gara dhe ndryshimi, por nga vazhdimësia e qëndrimit në vend, sipas modelit “tokë e xanun”, pas meje qameti.
Sigurisht me besimin tek vlerat e përbashkëta dhe me urimin që zhgënjimi nëse ndodhë, të jetë sa më i vogël.