“O sa siklet me qënë shqiptar!” – Nga Arben Kallamata

0
69
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

“Nuk janë përgjegjësia jonë”, thotë Ambasadori i Shqipërisë në Britani për shtetasit shqiptarë…

Nëse doni të kuptoni mirëfilli shprehjen “O sa siklet me qënë shqiptar!” shikoni videon më poshtë. Komiteti i Punëve të Brendëshme i Parlamentit Britanik ka organizuar një takim me Ambasadorin e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar Qirjako Qirko. Situata është kjo: Sipas Ministrisë së Brendëshme britanike, 35 përqind e 44 mijë njerëzve që kalojnë në mënyrë të paligjshme Kanalin Anglez janë shtetas shqiptarë. Për britanikët ky është problem shqetësues. Ata kanë ftuar ambasadorin shqiptar për të diskutuar gjendjen së bashku.

https://www.youtube.com/watch?v=MKQb-ZRiLSE

Video fillon me fundin e fjalës së Ambasadorit i cili, sipas kontekstit, duhet të ketë shprehur idenë që Shqipëria është një vend mikpritës që pret krahëhapur turistë nga gjithë bota, duke përfshirë edhe nga Britania e Madhe, ide që padyshim nuk ka asnjë lidhje me temën e takimit. Më pas, ndërhyn Lee Anderson Anëtar i Parlamentit Britanik i cili shtron një pyetje të thjeshtë: “Për të udhëtuar nga Shqipëria në Londër mjafton të blesh një biletë me Wizair që kushton jo më shumë se 28 pound. Udhëtimi me avion zgjat tre orë. Përse shqiptarët parapëlqejnë të paguajnë mijëra paund stërlina për të hyrë ilegalisht me gomone në Britani, në udhëtime të rrezikshme që zgjasin nga 16 orë, kur mund të udhëtojnë rehat me avion?”

Ambasadori nuk e kupton pyetjen dhe kërkon t’ia përsërisin.

Anëtari i parlamentit britanik ia përsërit. Ambasadori përtypet. Nuk e di përgjigjen. Në fakt, ambasadori nuk di asnjë përgjigje. Në një video të shkurtër prej katër minutash ai thotë disa herë nuk e di, si një nxënës i keq që nuk është përgatitur për provim.

Natyrisht, Ambasadori shqiptar ka ditur të përsërisë si papagall përrallën e mikpritjes shqiptare, të parajsës turistike shiptare, të arritjeve dhe sukseseve të qeverisë shqiptare. Por, kur vjen puna për të diskutuar për problemin e shqiptarëve që hyjnë ilegalisht në një vend të huaj, pra problemin për të cilin po merr pjesë në takim, ai nuk di të thotë asgjë.

Më në fund Lee Anderson detyrohet të thotë: “Ju nuk dini edhe aq shumë gjëra Ambasador, apo jo? A nuk e ndjeni që Shqipëria duhet të japë kontributin e vet për rëndesën që po i sjellin taksapaguesve britanikë shtetasit ilegalë shqiptarë?”

Këtu Ambasadori shqiptar ndjen një rrezik të madh – ndjen rrezikun që qeverisë së tij, shefit të tij, mund t’i faturohen shpenzimet e veprimeve të paligjshme të shtetasve të tij. Prandaj, me një gjest sa spektakolar, aq edhe të turpshëm ai mohon çdo lidhje me shtetasit shqiptarë.

“Jo,” thotë ai pa i bërë syri tërr. “Ata nuk janë përgjegjësi e shtetit shqiptar.” Pra Ambasadori i Shqipërisë i braktis menjëherë shtetasit shqiptarë, bashkëkombasit e tij që kërkojnë strehim në Britani, i lëshon ata fare lirë, pa pare, thjesht i bën hasha, duke mohuar çdo lidhje me ta. Fap-fap, i lan duart prej tyre.

Ja, kjo është gjendja ku ndodhemi. Një shtet që përfaqësohet në një nga vendet më të rëndësishëm të botës me një ambasador që nuk ia ka idenë se çfarë ndodh, që është i painformuar, që nuk di të shpjegohet, që nuk di të sqarojë dhe që, për të shpëtuar prapanicën e vet shet pa hezitim bashkëkombësit, ata bashkëkombas që janë braktisur një herë nga qeveria në vendin e tyre dhe që e ka për detyrë, ose më saktë paguhet që t’iu dalë për zot.

Video të lë pa fjalë. Më e pakta që mund të ndodhte pas kësaj do të ishte dorëheqja ose shkarkimi i menjëhershëm i ambasadorit. Ndoshta duhet të japë dorëheqjen edhe ministrja e Punëve të Jashtme. Sepse është vërtet turp për të ashtuquajturën diplomaci shqiptare dhe të ashtuquajturin shtet shqiptar./ Arben Kallamata

Zjarr Tv Ad