OBSH: Të rinjtë paraqesin rrezik për përhapjen e COVID-19

0
17
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Rritja e ritmeve të infektimeve me koronavirus në shumë vende është “nxitur pjesërisht nga të rinjtë që tregohen më të shkujdesur gjatë stinës së verës në Hemisferën Veriore,” tha të enjten Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Të rinjtë, shumë pa maska, po injorojnë rekomandimet për distancimin fizik, duke mbushur bare, klube nate dhe plazhe që janë rihapur që kur autoritetet hoqën kufizimet e koronavirusit.

“Shumica e të rinjve të infektuar kalojnë zakonisht një formë më të lehtë të sëmundjes. Por kjo nuk ndodh gjithmonë,” tha Maria Van Kerkhove, një epidemiologe e OBSH që i quajti klubet e natës “shumëfishues të përhapjes”.

Të rinjtë që shfaqin simptoma të buta ose nuk kanë simptoma mund ta përhapin virusin te njerëzit më të moshuar dhe më të rrezikuar.

Në Brazil, Presidenti Jair Bolsonaro, i cili rezultoi pozitiv për koronavirus më 7 korrik dhe më pas negativ të shtunën e kaluar, tha se pas qëndrimit 20 ditë mbyllur, kishte rezultuar me myk në mushkëri. Ai po mjekohet me antibiotikë. Zoti Bolsonaro i është referuar vazhdimisht diagnozës me COVID-19 si “pak grip”.

Brazili, të enjten mbrëma, kishte 2.6 milionë raste të konfirmuara dhe 91,263 vdekje, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Ndër rastet e konfirmuara është edhe zonja e parë e Brazilit, Michelle Bolsonaro, e cila rezultoi pozitive të enjten, sipas një deklarate nga pallati presidencial. Ministri i Shkencës dhe Teknologjisë, Marcos Pontes gjithashtu tha se ai kishte rezultuar pozitivit për virusin, duke e bërë atë ministrin e pestë të kabinetit të diagnostikuar publikisht.

Udhëheqësi i rajonit verilindor të Katalonjës në Spanjë po paralajmëron të rinjtë të ndalin mbrëmjet festive, përndryshe autoritetet mund të duhet të rikthejnë kufizime të ashpra.

Britania ka raportuar numrin më të lartë të rasteve të reja të COVID që nga fundi i qershorit; si rezultat zyrtarët paralajmëruan se mund të duhet të imponohen masa më të gjera karantine.

Zyrtarët britanikë të shëndetit regjistruan 846 raste të reja të enjten. Ministri për Shëndetësi dhe Kujdes Social, Matt Hancock tha që një valë e dytë e virusit po lëviz në të gjithë Evropën dhe se Britania duhet të vetëmbrohet prej saj.

“Është absolutishsht thelbësore që si vend ne të vazhdojmë të ruajmë fokusin dhe disiplinën dhe të mos gënjejmë veten se kemi kapërcyer rrezikun, ose se problemi ka marrë fund, sepse nuk ka përfunduar,” tha të enjten Kryeministri Boris Johnson.

Autoritetet britanike shtuan Luksemburgun në listën e vendeve, shtetasit e të cilëve duhet të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë pasi të futen në Britani. Spanja, e cila ishte hequr nga lista, është rikthyer dhe mund të shtohen vende të tjera.

Zjarr Tv Ad