Opinion nga Avokati Erald Aga / Proçesi i Audimit e Rindërtimit të banesave 50 vjeçare dhe Reforma Agrare 1946

0
108
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Opinion nga Avokati Erald Aga / QYTETARË ZGJOHUNI SA NUK ËSHTË AKOMA VONË!
Proçesi i Audimit e Rindërtimit të banesave 50 vjeçare dhe Reforma Agrare 1946.
Periudha post-tërmet deri tek projekt vendimit për auditimin e banesave mbi 50 vjeçare?
Pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019 shteti shqiptar me qëllimin në dukje “për të ndihmuar pronarët nga pasojat e tërmetit” miratoi:
• Aktin normativ nr 9 datë 16.12.2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësive natyrore”;
• VKM nr 7 datë 06.01.2020 “Për kushtet dhe procedurën për shpronësimet dhe/ose shkëmbimin e pronës, për interes publik, në funksion të procesit të rindërtimit” me anë të cilës ngarkoi njësitë e qeverisjes vendore për të vijuar me procesin e rindërtimit;
• Ndryshimet ligjore në ligjin nr 8561, datë 22.12.1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, ku më kryesoret ishin ndryshimi tërësor i nenit 7 dhe shtimi i pikave ë dhe g në nenin 8 të këtij ligji;
• VKM nr 904, datë 24.12.2019 “Për përcaktimin e rregullave, të kategorive prioritare, masës së përfitimit, autoriteteve përgjegjëse dhe procedurave për vlerësimin dhe përzgjedhjen e përfituesve nga disa programe të procesit të rindërtimit ” ndryshuar pika 23 me VKM nr 51 datë 27.01.2021.
Citim i dispozitave thelbësore të kuadrit ligjor të “rindërtimit”
Neni 7
Objekte të shpronësimit
Objekte të shpronësimit janë pasuritë e paluajtshme në formën e tokës, të ndërtimeve të çdo lloji, me karakter të përhershëm, pasuritë e luajtshme të treguara në shkronjat “e” dhe “ë”, të nenit 8, të këtij ligji, kulturat bujqësore, si dhe çdo investim tjetër i trupëzuar në tokën bujqësore, që do të shpronësohet.
Neni 8
Shkaku i shpronësimit
ë) Për rastet kur objekte të luajtshme e të paluajtshme, për shkaqe objektive, në kushtet e degradimit ose forcës madhore, krijojnë rrezik të përhershëm për sigurinë dhe shëndetin publik ose krijojnë rreziqe për zhvillimin e qëndrueshëm, në atë shkallë që me gjithë ndihmën e shtetit, këto rreziqe nuk mund të parandalohen nga pronari i tyre.
g) Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
VKM 904 datë 24.12.2019
23. Marrëveshja paraprake dhe kontrata për kalimin e banesave/shtëpive individuale në pronësi të subjekteve përfituese të programeve të rindërtimit dhe/ose atyre në funksion të procesit të rindërtimit duhet të përmbajnë, të paktën,parashikimet e modeleve tip, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij. Kontrata duhet të shoqërohet me deklaratën noteriale të heqjes dorë, nga subjektet përfituese, nga çdo pretendim mbi të drejtat e pronësisë për banesën apo shtëpinë individuale të mëparshme, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë vendim ose në aktin normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, të miratuar me ligjin nr. 97/2019, si kusht për përfitimin nga programet e procesit të rindërtimit. Regjistrimi i akteve kryhet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në emër të përfituesit.
Të katërta këto nisma ligjore të shtetit shqiptar në dukje ngjasojnë si veprime rutinë ligjore tekniko-administrative për kalimin e zakonshëm të tokës nga duart e pronarëve në duart e shtetit që ky i fundit të rindërtojë e të ndihmojë pronarët që u dëmtuan nga tërmeti.
Përkundrazi, në analizë të ftohtë dhe të thellë juridike këto katër nisma ligjore të njëpasnjëshme kanë shndërruar marrëdhënien e pronësisë së pronarëve mbi tokën, zhdukjen dhe zhveshjen përfundimisht të pronarëve nga e drejta e pronës, si dhe kufizimin e thellë të së drejtës së pronës private mbi tokën.
Në thelb këto nisma ligjore kanë tjetërsuar me detyrim pronat e pronarëve (banesa dhe trualli mbi të cilat ngriheshin banesat ) ku e gjithë toka private (trualli) dhe banesat apo pallatet që ngriheshin mbi pronat e pronarëve me nisjen e procesit të “rindërtimit” kalonin në pronësi të shtetit pa të drejtë për pronarët për të pretenduar në të ardhmen pronësinë mbi trualli apo objektet që rindërtoheshin në pronën e tyre. Për të kamufluar këtë zhvatje të pronës private, zhveshje të pronarëve nga e drejta pronës shteti vendosi t’i kompesonte pronarët me një banesë të ndërtuar nga vetë shteti diku në periferi të Tiranës me kushtin e vetëm që këta shtetas “ish-pronarë” thjeshtë të banonin sepse nuk do të kishin të drejtën të shitnin apo dhuronin banesën e dhuruar nga shteti në funksion të rindërtimit.
Pak kujtesë mbi “Reformën Agrare 1946”
Ajo shënoi shndërrimin demokratik të marrëdhënieve të pronësisë mbi tokën, zhdukjen përfundimisht të mbeturinave të feudalizmit në ekonomi dhe të klasës së çifligarëve, si dhe kufizimin e thellë të së drejtës së pronës private mbi tokën.
Sipas ligjit u shpronësuan dhe u tjetërsuan me detyrim e pa shpërblim tokat pronë e shtetit çifligaro-borgjez, prona e çifligarëve dhe e institucioneve fetare, e gjithë toka private që kalonte madhësinë e parashikuar prej ligjit (mbi 5 ha). Pjesa më e madhe e tokës së shpronësuar iu shpërnda falas fshatarësisë punonjëse sipas parimit «Toka i përket atij që e punon». Pjesa fjetër e tokës u shpall tokë shtetërore dhe mbi bazën e saj u krijuan ndërmarrje shtetërore.
Sa më lart, po të heqim një vijë paralele me nismat ligjore të “Reformës së Proçesit të Rindërtimit”, fare qartë dallohet që të dy këto “reforma” ngjasojnë si dy pika uji por me një avantazh të madh të “Reformës Agrare” në fillimet e saj e cila i la një pjesë të caktuar të pasurisë së paluajtshme pronarëve që të silleshin si pronarë. Kurse “Reforma e Procesit të Rindërtimit” që në nisje të saj i ka zhveshur tërësisht pronarët nga e drejta pronësisë dhe prona e tyre përvec se shpallet tokë shtetërore por mbi këto prona “investuesi strategjik privat” ndërton pallate e komplekse pallatesh duke ushtruar aktivitet tërërsisht ekonomik. Pra, shteti me “Reformën e Procesit të Rindërtimit” dhe “Ligjit të Shpronësimit” merr rolin e “Robin Hood” duke i marrë pronën private pronarëve dhe duke ja dhënë firma private të ndërtimit të cilat me kosto thuajse zero ndërtojnë e zhvillojnë biznes tek “ish pronat” e pronarëve.
Por si nisi Reforma Agrare e PKSh-së?
1.Konfiskimi i pasurive bujqësore
Konfiskimin e pronave të luajtshme dhe të paluajtshme.
2.Komisionet dhe zyrat për tokat e shtetit
U ngrit një komision për tokat e shtetit, i cili kishte si detyrë për të studiuar gjedjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.
3.Ndalimi i shitblerjes, tjetërsimit dhe hipotekimit të pronave bujqësore nga pronarët legjitimë
U miratua një urdhëresë drejtuar komiteteve ekzekutive të këshillave nacionalçlirimtare të prefekturave dhe nënprefekturave për ndalimin e shitblerjes, hipotekimit, pjestimit dhe tjetërsimit të pronave bujqësore. Zyrat noteriale dhe të hipotekës u ndaluan të lëshonin akte që kishin si objekt shitblerjen ose, ndryshimin e gjendjes juridike të tokave bujqësore.
4. Miratimi i ligjint për Reformën Agrare.
Faza 1: Sipas këtij ligji, do të shpronësoheshin familjet e mëdha, bashkësitë fetare dhe pronarët.
Faza 2: Sipas saj, çdo kryefamiljari nuk i jepej më shumë se pesë hektarë tokë dhe kur familja i kalonte gjashtë frymë, për çdo kurorë shtesë, jepeshin edhe dy hektarë.
Pra, katër nisma ligjore gjatë kohës pas tërmetit nëntor 2019 – janar 2021 dhe 4 nisma ligjore edhe gjatë kohës së “Reformës Agrare”. Kushdo që i lexon me pak kujdes dhe pak vëmendje do të kuptojë që gjatë “Reformës Agrare” shtetasit pronarë kishin më shumë të drejta për gëzimin e pronës dhe kompesoheshin shumë herë më mirë sesa gjatë “Reformës së Procesit të Rindërtimit”.
Të gjithë e dimë se cfarë ndodhi më pas me “Reformën Agrare” ku brenda një kohe të shkurtër nisi shtetëzimi dhe kolektivizimi i tokës bujqësore. Pronarët e tokave u shpallën kulakë dhe iu nënshtruan persekutimit, internimit dhe burgosjes. Ndërkohë, me “Reformën e Procesit të Rindërtimit” pronarët zhvishen që në momentin e parë nga e drejta e pronësisë dhe më pas “shpërblehen”, “kompesohen” me një “pronë” të cilën nuk kanë të drejtë as ta shesin e sa ta dhurojnë.
Vlen për të theksuar se gjatë periudhës dhjetor 2019 deri në janar 2021 nuk është ndërmarrë asnjë nismë ligjore konkrete, asnjë aksion ligjor me natyrë kushtetuese nga subjektet kushtetuese të përcaktuara nga neni 134 i kushtetutës si:
a) Presidentit të Republikës;
b) Kryeministrit;
c) jo më pak se një të pestës së deputetëve;
ç) Avokatit të Popullit;
d) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit;
dh) çdo gjykate, sipas nenit 145, pika 2, të kësaj Kushtetute;
e) çdo komisioneri të krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta;
ë) Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë;
f) organeve të qeverisjes vendore;
g) organeve të bashkësive fetare;
gj) partive politike;
h) organizatave; si edhe
i) individët për çështje që lidhen me interesat e tyre.
Në mënyrë të tillë që të vinin në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për t’i shpallur si anti kushtetuese këto akte ligjore dhe nënligjore.
Zgjidhja e problemit
Referuar nenit 50 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, kërkesat në Gjykatën Kushtetuese për pajtueshmërinë e ligjit ose të akteve të tjera normative me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, mund të paraqiten brenda dy vjetëve nga hyrja në fuqi e aktit. Subjektet e sipërcituara duke marrë shkasë nga momenti i ndryshimeve të fundit që i janë bërë shpesh akteve normative, akteve nënligjore dhe ligjore janë ende në limit të kapjes së afatit për t’i dorëzuar këto nisma ligjore në Gjykatën Kushteutese e për të kërkuar shfuqizimin e tyre si të papajtueshëm me kushtetutën.
Nga ana tjetër, gjyqtarët e “reformuar” duhet të ngrihen në detyrën e tyre e kur të hasin problematika ligjore me zbatimin e paketës ligjore të “Reformës së Procesit së Rindërtimit”, të paraqesin kërkesë pranë Gjykatës Kushteutese për të kërkuar shfuqizimin e tyre si të papajtueshëm me kushtetutën duke qenë se janë të vetmet subjekte që mund të paraqesin dhe vënë në lëvizje në çdo kohë Gjykatën Kushtetuese, kur gjatë shqyrtimit të një çështjeje gjyqësore konkrete, sipas nenit 145, pika 2, të Kushtetutës, çmojnë antikushtetutshmërinë e ligjit ose të aktit normativ.
Po ashtu, vetë individët pronarë apo qoftë një individ i vetëm, pronar i vetëm i cili ka nisur kalvarin e gjatë të sfidimit të shtetit e pushtetit gjyqësor nëpër dyert e gjykatave nuk duhet të dorëzohet por të shterojë gjithë shkallët e gjyqësorit e në fund të paraqesë kërkesë për papajtueshmërinë e këtyre ligjive ose të akteve të tjera normative që kanë cënuar të drejtën e pronësisë dhe e kanë zhveshur nga të qënurit pronar e që janë të gjitha në kundërshtim me Kushtetutën.
E fundit, mjafton mobilizim i pronarëve, të kthejnë sytë nga e shkuara duke mos e anashkaluar atë dhe të hapin sytë nga e ardhmja duke filluar një aksion zinxhir për arritjen e qëllimit të përbashkët i cili të jetë: Mbrojtja e pronës, mbrojtja e shtëpisë së tyre, mbrojtja e tokës së tyre.
Të gjithë banorët pronarë të pasurive të tyre të paluajtshme të bëhen bashkë, të organizohen në forma të ndryshme për të detyruar shtetin të zhbëjë aktet dhe përmirësojë kuadrin ligjor të “Reformës së Procesit së Rindërtimit” dhe “Ligjit të Shpronësimeve për Interes Publik”, ligje këto që janë tërësisht kundra pronës private.
Avokat Erald Aga
Studio Ligjore
Aga & Goxhaj Law Firm

Zjarr Tv Ad