Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit kanë aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritjen e tarifave të shpërndarjes dhe transmetimit të energjisë.
Burime të sigurta i konfirmuan TV SCAN se niveli i kërkuar i rritjes së tarifave është i ngjashëm me aplikmet e viteve të kaluar, ndërkohë që do të jetë vendimi i Bordit të Entit Rregullator të Energjisë, ai që do të miratojë tarifat finale, që do të aplikohen në vitin 2022.
Nëse i referohemi aplikimit të bërë vitin e kaluar, OST kërkoi rritjen e tarifës së transmetimit të energjisë në 1.31 lekë/kWh nga 0.75 lekë/kWh që është aktualisht. Në atë kohë ERE vendosi të mos fillonte procedurën e shqyrtimit të aplikimit për shkak të mos argumentimit nga ana e OST mbi nevojën e kësaj rritjeje. Ndërkohë që, në rast se sivjet do të ketë një ndryshim të kësaj tarife, ajo impakton drejtpërdrejt bizneset që kanë dalë në treg të lirë energjie, por edhe abonentët familjarë e biznese që furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal, që është pjesë e OSHEE-së.
Kjo pasi kjo tarifë është pjesë përbërëse e formulës për përllogaritjen e çmimit final të energjisë, që aplikohet nga FSHU për klientët e saj. Ndërkaq, impakti është i njëjtë edhe në rast të miratimit të rritjes së tarifës së shpërndarjes së energjisë elektrike, një kërkesë që është bërë nga OSSH. Vitin e kaluar, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes kërkoi që tarifa e shpërndarjes të shkonte në 3.70 lekë/këh për klientët e lidhur në 35 KV nga 1.5 lekë/kWh që është aktualisht.
Po ashtu, u propozua që kjo tarifë të shkonte në 4 lekë/këh për klientët e lidhur në tensionin 6-20 kv nga 3.9 lekë/këh që është aktualisht. Ndërkohë që, për të gjithë klientët e tjerë fundorë të lidhur me rrjetin e shpërndarjes në nivelet e tjera të tensionit, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes aktualisht faturon energjinë e lëvruar bazuar në tarifën mesatare të shpërndarjes së energjisë elektrike prej 4.79 lekë/kWh, ndërkohë që në aplikimin e vitit të kaluar është kërkuar që kjo tarifë të shkojë në 6.30 lekë/kWh.
Gjatë vitit 2020 Enti Rregullator i Energjisë zhvilloi edhe konsultime me grupet e interesit mbi tarifat e reja të kërkura nga OST, por ato u ndërprenë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, ndërkohë që tarifat u mbajtën të pandryshuara. Ndërkaq, në ato seanca që u zhvilluan bizneset argumentuan se tarifat e rritura do të ndikonin në uljen e konkurrueshmërisë jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe në drejtim të eksporteve. Sipas burimeve, aktualisht OSSH ka kërkuar që të plotësojë aplikimin e saj me dokumentacion shtesë, ndërkohë që referuar procedurave standarde, fillimisht ERE do të duhet të vendosë nëse do të fillojë shqyrtimin e aplikimet e OST-së dhe OSSH-së.
Ndërkohë që, në rast të shqyrtimit është pikërisht ky dikaster që vendos mbi nivelin e tarifave përfundimtare që do të aplikohen gjatë vitit 2022. Paralelisht, në pritje është edhe aplikimi që do të kryhet nga Furnizuesi i Shërbimit Universal, për çmimin e shitjes me pakicë të energjisë e nëse kjo kompani do të zgjedhë të përballojë me të ardhuart e veta rritjen e mundshme të tarifave të transemtimit dhe shpërndarjes apo të shkarkojë këtë rritje tek abonentët e saj familjarë e biznese./TV SCAN