Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dënuar deklaratën e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi i cili tha se “pa krim nuk ka zhvillim”. Në një konferencë për gazetarët, Meta tha se vetëm një arsim cilësor dhe i mbështetur me buxhet sjell zhvillim të vendit.
“Javën e kaluar dëgjuam një deklaratë shokuese nga ministri i Brendshëm ik qeverisë aktuale ku shprehej se pa krim nuk ka zhvillim. Një deklaratë e papranueshme nga përfaqësuesi i qeverisë, i cili ka detyrën kryesore për të ndaluar krimin dhe përparuar zhvillimin.
Në fakt duhet thënë me forcë dhe duhet punuar më me forcë, pa arsim nuk ka zhvillim.
Zhvillimin e sjell vetëm një arsim cilësor me kurikula bashkëkohorë, me mësues të mbështetur me paga dinjitoze. Vetëm arsimi si prioritet sjell zhvillim. Unë i uroj mësuesit dhe nxënësit që kthehen në shkolla për një vit sa më produktiv”, tha Meta.