Qyteti i Selanikut në Greqi dhe qyteti turk Izmiri nga sot do të lidhen me linjë detare, përmes tragetit „Smyrna di Levante“, të cilin e drejton kompania private “Levante Ferries“.
Trageti do të operojë tri herë në javë nga Selaniku, të hënën, të mërkurën dhe të premten, ndërsa nga Izmiri niset të martën, të enjten dhe të dielën, ndërsa udhëtimi do të zgjasë 14 orë.
Trageti “Smyrna di Levante“, me gjatësi prej 158 metrash, ka kapacitet për të akomoduar 948 pasagjerë, 1000 kamionë dhe 300 vetura, ndërsa për udhëtarë ka lloje të ndryshme kabinash, si dhe ulëse të thjeshta.
Sipas mediave greke, bëhet fjalë për projekt për të cilën gati 20 vite është diskutuar, dhe vetëm tani po realizohet.
Nga kompania deklarojnë se pas “planifikimit të plotë dhe afatgjatë, me durim dhe këmbëngulje, me biseda dhe bashkëpunime, me vullnet dhe pasion realizohet vizioni i madh, pra lidhja e Selanikut me Izmirin me anije, që e plotëson dëshirën e fortë dhe të përjetshme të të dy popujve”.
Ata shtojnë se trageti krijon një urë komunikimi mes vendeve fqinje, ndërsa kompania “jo vetëm që përpiqet të promovojë interesat e përbashkëta tregtare të Greqisë dhe Turqisë, por edhe për të forcuar marrëdhëniet e dy vendeve dhe për të nxjerrë në pah gjithçka që i bashkon ato”.
“Por, kjo lidhje jo vetëm që e lidhë Greqinë me Turqinë, por e lidhë edhe Evropën me Azinë. Do t’u shërbejë udhëtarëve dhe transportimit të mallit në Evropë, Ballkan dhe anasjelltas. Shumë kamionë nëpërmjet tragetit tonë do të mund të arrijnë lehtësisht dhe të qetë në Bari dhe Ankona, me vetëm një biletë. Trafiku turistik nga të dyja anët do të arrijë në destinacione që aktualisht janë plotësisht të largëta dhe të paarritshme”, deklarojnë nga kompania.
Drejtori ekzekutiv i “Levante Ferries“ Efstratios Apergis për gazetën greke ANA-MPA shpjegoi se udhëtimi i sotëm do të jetë më informues, do me thënë të përcaktojë që të gjitha proceset e nevojshme janë duke funksionuar, siç janë kontrolli i pasaportave dhe procedurat doganore, ndërsa përsëri të mërkurën do të fillojë trafiku i rregullt komercial.