Dhoma Amerikane e Tregtisë kritikon Qeverinë Shqiptare për Paketën Fiskale 2022. Sipas saj, institucionet më të larta në Shqipëri si Ministria e Financave dhe Kryeministria u angazhuan publikisht se taksat dhe tatimet do të ndryshonin një herë në 4 vite, por ka ndodhur e kundërta. Gjithashtu, Dhoma Amerikane e Tregtisë thotë se janë shkelur në mënyrë të përsëritur afatet e ligjit për konsultim publik. Madje, palëve të interesuara ligji u është dërguar vetëm pasi ai është miratuar në Këshillin e Ministrave.
“Dhoma Amerikane ka shprehur edhe njëherë shqetësimin mbi ndryshimet e herëpashershme mbi Paketën Fiskale, duke mos respektuar angazhimin për të ndërhyrë një herë në katër vjet me qëllimin që të krijojnë stabilitet dhe parashikueshmëri në planet e biznesit. Gjithashtu, qeveria nuk ka respektuar afatet ligjore të nevojshme për konsultimin publik, duke lënë shumë pak kohë në dispozicion për komente dhe duke e ndarë Paketën Fiskale me biznesin pas miratimit në Këshillin e Ministrave”, shkruhet ndër të tjera në letrën e Dhomës Amerikane.
LETRA E PLOTË E DHOMËS AMERIKANE TË TREGTISË
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri konsideron me rëndësi të madhe procesin e ndryshimeve mbi projektligjet për Paketën Fiskale 2022. Në përgjigje të materialit që na është parashtruar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi ndryshimet e reja ligjore, Dhoma Amerikane ju bën me dije se: së pari, një pjesë e madhe e bizneseve anëtare, kanë reaguar me shqetësim, në lidhje me këto projektligje; së dyti, koha e vënë në dispozicion të Dhomës Amerikane nuk ka qënë e mjaftueshme që grupet tona teknike të zhvillojnë një analizë të plotë për të prodhuar komente të detajuara për draftin. Përsa më sipër, Dhoma Amerikane shpreh shqetësimin mbi procesin dhe përmbajtjen e projektligjeve si më poshtë:
Thyerja e angazhimit publik për një paketë fiskale të qëndrueshme me ndërhyrje të paktën njëherë në katër vjet. Pasi komuniteti i biznesit ka shprehur shqetësimin e vazhdueshëm, mbi ndryshimet e shpeshta mbi paketën fiskale dhe tatimet, si dhe në përshtatje me praktikat më të mira botërore, zyrtarë të lartë duke përfshirë Ministrin e Financave, Kryeministrin, etj., janë angazhuar publikisht për ndryshime më pak frekuente të ligjit, njëherë në çdo 4-vjeçar. Për rrjedhojë, ky projektligj bie ndesh me angazhimet publike qeveritare, pritshmëritë dhe planifikimet financiare të komunitetit të biznesit dhe dëmton klimën e besimit reciprok mes sektorit publik dhe atij privat mbi angazhimet publike.
Shkelja e Përsëritur e Afateve të Ligjit mbi Konsultimin Publik. Dhoma Amerikane vëren e zhgënjyer se u njoftua mbi projektligjet e paraqitur nga Këshilli i Ministrave mbi paketën fiskale 2022, pasi ato ishin miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe ishin depozituar pranë Kuvendit. Kjo praktikë – fatkeqësisht e përsëritur – është në shkelje të ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, i cili i kërkon autoriteteve shtetërore t’i ofrojnë palëve të interesuara një periudhë kohore të përcaktuar për të shqyrtuar dhe ofruar rekomandimet e tyre në lidhje me projektligjin/et e propozuar.
Për arsyet e mësipërme, Dhoma Amerikane kërkon shtyrjen e afatit të projektligjeve, nëpërmjet zbatimit te ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, duke i lënë mundësi grupeve të interesit të ushtrojnë të drejtën e tyre duke u njohur me përmbajtjen e ligjit dhe ofrimin e sugjerimeve për përmirësimin e tij. Në vijim, Dhoma Amerikane shpreh bindjen se projektligjet kanë nevojë për përmirësim, i cili do të mundësohej pas reflektimit të rekomandimeve të komunitetit të biznesit. Një pjesë e problematikës është e bashkëngjitur.
Gjithashtu, Dhoma Amerikane rekomandon nisjen nga puna për hartimin dhe konsultimin e një Ligji të Ri për Tatimin mbi të Ardhurat, që të harmonizohet me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare të kontabilitetit. Periudha 4-vjeçare në dispozicion të një ligji të ri të tatimit mbi të ardhurat, do i jepte mundësi grupeve të punës të unifikonin taksimin e pagamarrësve dhe personave fizikë e tregtarë. Kjo ka qënë një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar të biznesit, i cili do sillte një frymë të re në Investimet e Huaja Direkte, harmonizimin me standardet ndërkombëtare dhe krijimin e kushteve për uljen e informalitetit.