Një lajm i bujshëm po qarkullon në mediat italiane, ku në qendër është trajneri i Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi. Sipas “Il Messaggero”, 45-vjeçari po piketohet si zëvendësuesi i Di Françeskos në stolin e Romës. Raportohet se Panuçi po qëndron në prapaskenë dhe pritet që në ditët e ardhshme të ketë një takimin me drejtuesit verdhezinj.
Italiani ka kontratë me Shqipërinë deri në vitin 2019, por një ofertë nga Roma mund të ishte e pa rezistueshme për të. Trajneri ka raporte të mira me Franko Baldini, njeriun e besuar të presidentit Palota dhe nuk është çudi që t’i besohet stoli i skuadrës italiane. Gjithashtu, “Il Messaggero” zbulon se Panuçi do të jetë prezent në “Olimpico” të premten për të ndjekur sfidën e Romës kundër Parmës, teksa po atë ditë pritet të ketë dhe një takim me drejtuesit romanistë.