Papa Françesku u ka kujtuar liderëve të botës se zotërimi i arsenaleve bërthamore nuk e bën globin më të sigurt.
Duke folur nga qytetet japoneze të Nagasakit dhe Hiroshimës, kreu i Kishës Katolike apeloi për eliminimin e tyre.
Bota duhet të eliminojë armët bërthamore dhe të shkatërrimit në masë, që u krijojnë politikanëve idenë false të sigurisë në dëm të njerëzimit.
Mesazhin e ndau të dielën Papa Françesku nga Japonia, gjatë vizitave në Hiroshima dhe Nagasaki.
Më 6 dhe 9 gusht të vitit 1945, avionët amerikanë do të lëshonin bomba atomike në dy qytetet japoneze, që do të vrisnin mbi 210 mijë banorë.
“Në botën e sotme, ku miliona fëmijë dhe familje jetojnë në kushte çnjerëzore, të shpenzosh para për të fabrikuar, modernizuar dhe shitur armë edhe më shkatërruese është një krim i pamoralshëm. Vendi këtu na bën të vetëdijshëm për dhimbjen dhe skenat e tmerrit që ne qeniet njerëzore mund t’i kallim njëri-tjetrit. Jam i bindur se një botë pa armë bërthamore është e mundur dhe e nevojshme,” deklaroi kreu 82-vjeçar i Vatikanit nga Nagasaki, i njohur edhe si qendra e katolicizmit japonez.
Fjalën dhe meshën e përgjithshme që e pasoi atë e ndoqën nën shi mijëra besimtarë të vendit.
Kjo është vizita e parë e një kreu të Kishës Katolike që prej kohës së Papa Gjon Palit të Dytë.
Të hënën, Papa Françesku pritet të takojë të mbijetuarit e fatkeqësisë natyrore dhe bërthamore të Fukushimës, si edhe perandorin Naruhito dhe kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe.