Deputeti Samiri Korreshi ka qenë i eleminuari i natës së mbrëmshme në emisionin e kërcimit “Dancing With The Stars”, në televizionin kombëtar Top Channel. Korreshi performoi me kolonën zanore nga filmi “Mbreti luan”.
Deputetin opozitar nuk e shpëtuan dot as votat e publikut dhe as hudhra në xhep “për syrin e keq”, pas pikëve të ulëta që i dha juria për performancën e tij në natën e filmit në “Dancing With The Stars”.
Por, edhe fati nuk i ka buzëqeshur që në fillim në skenë, pasi javën e kaluar ai nuk performoi pas një “aksidenti” gjatë performancës në natën e parë të spektaklit të kërcimit ku pësoi lëndime në krah.
Pasi mësoi vendimin, deputeti opozitar u largua me batuta nga emisioni i kërcimit, duke kujtuar se të enjten që sapo kaloi e përjashtuan dhe nga Parlamenti, për shkak të bojkotit. Tani, siç u shpreh Saimir Korreshi, e përzunë dhe nga “Dancing With The Stars”.
“Pardje më përzunë nga Parlamenti, sonte nga “Dancing With The Stars”. Ishalla na hap plaka shtëpinë, se mos na përzë dhe ajo. Të tjerat rregullohen”, u shpreh deputeti.