Një ditë pas takimit me homologun e Greqisë, Kiriakos Micotakis, Kryeministri Edi Rama ndryshon grupin negociator për detin.
Në mbledhjen e djeshme (30 tetor) të qeverisë u miratua përbërja e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare.
Sipas vendimit të qeverisë komisioni do të kryesohet nga zëvendësministër i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe ka në përbërje zv/ministra nga Ministria e Brendshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Po sipas vendimit, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ka rolin e sekretariatit teknik të Komisionit dhe organizon mbledhjet e Komisionit; planifikon dhe harton projektaktet, sipas tematikave përkatëse; realizon çdo detyrë tjetër që i ngarkon kryetari i Komisionit dhe raporton periodikisht pranë Kryeministrit për veprimtarinë e Komisionit.
Komisioni ngarkohet për administrimin e ujërave ndërkufitare, administrimin e marrëdhënieve me shtetet kufitare për këto ujëra, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar, në marrëveshjet ndërkombëtare, konventat dhe protokollet e nënshkruara nga Republika e Shqipërisë.
Komisioni ka të drejtë të krijojë nënkomisione me ekspertë të fushave përkatëse për probleme dhe çështje specifike.
Do të jetë ky grup që do të zhvillojë bisedimet edhe me Greqine sa i takon kufirit detar.
Ende nuk janë të qartë emrat konkretë që do të jenë në grup por pas kësaj duhet që plotfuqishmëria të jepet nga Presidenti.
Ky vendim i qeverisë vjen vetëm një ditë pasi kryeministri Edi Rama u takua me homologun e Greqisë, Kiriakos Micotakis.