“Pasaportat e arta”, ish-ministri i Brendshëm: Nuk e kemi luksin e devijimit nga BE! Interesi i një investitori për shtetësinë shqiptare nuk lidhet me të, por me…

0
13
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

VALENTINA MADANI/ Ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka komentuar në një intervistë për gazetën “Panorama” ligjin e dhënies së shtetësisë shqiptare  për personat e huaj që do të investojnë në vendin tonë.

Lleshaj thekson se interesi i një investitori për pasaportën shqiptare nuk lidhet me të, por me diçka tjetër. Ai shton se hartuesit e këtij ligji mund t’i kenë bërë llogaritë e gabuara, pasi kjo metodë nuk mund të sjellë ndonjë “boom” ekonomik apo përthithje të investimeve të huaja.

Si e konsideroni projektin e Kryeministrit Rama për dhënien e fuqisë së pasaportës shqiptare në këmbim të investimeve të huaja? Kjo nismë, a përbën rrezik për vendin tonë, ku mund të futen spiunë të kamufluar në Shqipëri, sidomos nga Rusia?

E kam ndjekur pak këtë diskutim në media. Kam parë se argumenti kyç pas kësaj iniciative është interesi ekonomik që pritet të konkretizohet në investime të shtuara nga jashtë. Për arsye se nuk kam pasur as kohë dhe informacion të mjaftueshëm për të analizuar këtë çështje, po mjaftohem vetëm me një përshtypje të parë personale. Unë nuk besoj se pasaporta shqiptare do të sjellë ndonjë bum investimesh serioze. Dihet edhe prej amatorëve se investimet serioze janë rezultat i strategjive ekonomike dhe jo reaksion ndaj ndonjë politike liberale në fushën e shtetësisë. Sa u përket spiunëve rusë, nuk besoj se ata i ka penguar pasaporta për të depërtuar në Shqipëri apo dhe në vende shumë më të zhvilluara se ajo.

Çfarë fshihet pas këtij vendimi, a duhej transparencë?

Nuk mund të them nëse pas kësaj iniciative fshihet ndonjë gjë. Në përgjithësi, nuk besoj te konspiracitë. E vetmja gjë që mund të “fshihet” pas kësaj iniciative, janë llogaritë e gabuara apo pritshmëritë e pabazuara të autorëve të saj për ndonjë efekt të qenësishëm ekonomik.

Si mund të delegohen hallkat procedurale të shtetësisë te privati?

Nuk kam parë ndonjë delegim atributesh shtetërore te privati në këtë rast, por as nuk shoh ndonjë vlerë reale nga angazhimi privat në këto procedura. Me sa kam kuptuar, roli i privatit do të jetë njëfarë verifikimi paraprak i kritereve të integritetit të të interesuarit, me pagesë nga ky i fundit. Kjo zgjidhje më duket pa lidhje. Së pari, privatët, kushdo qofshin ato, nuk kanë të dhëna sensitive për shtetasit e huaj që supozohet të vlerësojnë, pasi këto të dhëna i disponojnë në mënyrë të ligjshme vetëm shtetet përkatëse, të cilat ligjërisht mund t’i ndajnë ato me shtete të tjerë në kushte rreptësisht të përcaktuara. Së dyti, përderisa privatët do të paguhen nga shtetasit e huaj të interesuar për pasaportë për të bërë verifikimet e nevojshme, kjo do të thotë që ata janë në një konflikt të qartë interesi dhe se produkti i verifikimit mund të kontestohet.

BE i ka kërkuar qeverisë tërheqjen nga skema e shtetësisë për investitorë që, sipas Brukselit, bie ndesh me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe përbën rrezik për Shqipërinë dhe për Unionin. A duhet rishikuar ky projekt?

Kjo është pyetja themelore. E gjithë kjo iniciativë duket se synon të sigurojë investime të rëndësishme në Shqipëri, duke këmbyer fuqinë dhe atraktivitetin e pasaportës shqiptare, me një investim të caktuar nga marrësi i ri i saj. Por këtu duhet të jemi shumë të qartë dhe shumë të ndershëm. Interesi i një investitori potencial për pasaportën shqiptare nuk lidhet me të, por me diçka tjetër. Përveçse pasaportë shqiptare, ajo është edhe një “pasaportë Shengen”. Ndaj vlera dhe interesi real në këtë rast është “SH-ja” e dytë, Shengeni dhe jo “SHja” e parë Shqipëria. Në këto kushte, ne thjesht nuk mund të jemi aq “sovranë” sa të shesim diçka që nuk e kemi. Sovranitetin për zonën Shengen e kanë vendet anëtare të saj, ndaj pa konsensusin e tyre, kjo gjë nuk mund të bëhet.

Shitja e pasaportës shqiptare tek investitorët e huaj, a është “një devijim” nga angazhimi i Shqipërisë për të përafruar legjislacionin e saj me BE-në?

Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe përmbushja e përgjegjësive të vendit si anëtar në NATO janë e vetmja politikë e jashtme për ne. Ndjekja e politikës europiane dhe përafrimi i legjislacionit tonë me atë të BE-së tashmë nuk është thjesht një opsion politik, por një detyrim ligjor. Unë as nuk mund ta imagjinoj që ne të mund t’i lejojmë vetes as edhe një milimetër devijim nga ky kurs jetik për të ardhmen tonë, e cila gjithsesi nuk duket se do të jetë edhe aq e thjeshtë në kontekstin e zhvillimeve botërore.

A rrezikojmë të kemi infiltrim të krimit të organizuar, pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet “aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta në një skemë të ardhshme shqiptare”?

E thashë edhe më sipër se nga kjo iniciativë nuk duket se mund të pritet realisht realizimi i qëllimeve të mira të saj. Dhe përderisa përfitimi prej kësaj duket pa gjasa reale, nuk shoh ndonjë kuptim për të insistuar në të. Në përgjithësi aty ku mungojnë përfitimet, nuk mungojnë dëmet

Zjarr Tv Ad