Pashallëku i skafistëve-Nga Armir SHKURTI

0
64
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Mbrëmë, në Porto Palermo, me kështjellën e Ali Pashait, u përpoqa t’u shpjegoja ca miqve nga Europa kusuret e turizmit tonë, ekonomisë dhe politikës….

Pashai mizor, që për pushtetin dhe pasurinë e tij masakroi pa mëshirë shqiptarë, ndërtoi këtë “chateau” ( kështjellë ) në një gji të mrekullueshëm, krejt për vete. Këtu vinte për pushime me një nga gratë e tij dhe një pjesë të haremit. Askush tjetër s’guxonte të afrohej….

Nga 1991 paratë në Shqipëri bëheshin:

1 – Nga iniciativa private, tregëtia dhe biznesi i sapolindur

2 – Dërgesat e emigrantëve

3 – Puna në shtet bashkë me vjedhjet e bakshishin që sillnin

4 – Skafet

Me këtë “skafet” kam parasysh çdo lloj krimi dhe trafiku: nga qeniet njerëzore tek armët e droga.

Sot 3-shi dhe 4-a janë një. Në 32 vjet politika shqiptare i lypi ndihmë për vota e pushtet 4-ës dhe 4-a i kërkoi punë për njerëzit e vet, mbrojtje nga drejtësia, para publike dhe mundësi pastrimi të parave të ndyta.

Dalëngadalë edhe 1- shi u shkri me 4-ën. Me “skafet”. Krimi bashkë me pushtetet mblodhën gjithçka në pak duar, duke kriminalizuar, apo skafizuar ekonominë.

Tash në një krah ke ekonoskafin , në tjetrin atë pak biznes të ndershëm dhe punonjës profesionalë e të ndershëm shteti.

2-shi dalëngadalë u tret, për shkak se çunat që ikën të vegjël në kurbet janë rritur, kanë krijuar familje e ndërkohë, aty ku janë, rripat e ekonomisë kanë vite që shtrëngohen.

Të kthehemi tek Pashai ynë. Tipiku i shqiptarit që, kur bie në pare e pushtet vret edhe babën. Ky sua janë edhe “skafistët”. Mbytën në det shqiptarë e të huaj. Për para. Shitën të bardhë e të zinj. Prostituta e skllevër. I vranë kur s’iu bindën. Vranë më pas edhe njëri – tjetrin për para e për pushtet.

Këta “pashallarë” pastaj,  siç Aliu në Porto Palermo,  ngritën kulla, hotele, restorante. Çimentuan Tiranën, Durrësin, Vlorën deri në Ksamil….

Kur ti shkon tek hoteli a restoranti i Barbar Pashës, çmimi është kacafiu. Se kështu i do qejfi atij. Ai është pasha e  vendos vetë. S’ka nevojë as për lekët e tua e as për shumë rrëmujë vërdallë. Ai ka zënë plazhet  më të mira, pamjen më të bukur.

Në krah është ai fatziu që ka ngelur peng i iluzionit të dhjetorit ’90: “Liri – Demokraci” dhe “Shqipëria si gjithë Europa”. Ekonomia e këtij bujkrobi të gjorë konkuron me atë të pashallarëve që kanë me vete , veç pareve pa hesap të lyera me gjak, edhe të aleancave vrastare me sivëllezër krimi, me politikën, kanë ushtarë të mirëfilltë që të heqin qafe pa një pa dy, kanë informacion nga policia dhe imunitet nga drejtësia. Jo padashje e lashë më vete: kanë në krah tatimet dhe gjithë inspektoratet e duhura për ti shkatërruar jetën dhe biznesin atij që me djersë siguron bukën.

Vrasja në Potam e një 7 vjeçareje nga skafi është një paradigmë e përkryer e kësaj që kam thënë. Tash oligarkia ( grupi që ka në dorë çdo pushtet: ekonomik, politik, mediatik, shoqëror, krim të organizuar ) vepron hapur e me prepotencë. Siç sot ndodhi me bastet sportive. Apo me shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

1990 ishim 3.2 milionë. Sot 2.7…. Një Shqipëri tjetër, më e madhe se jona, në 32 vite jeton në Perëndim. Kanë ikur për bukë? Jo! Kanë ikur se pushteti i Pashallarëve a i skafeve, si të duash quaji, se njëlloj është, nuk i le të bëjnë prokopi. As biznes, as karierë as jetë të qetë.

Po këta që kanë mbetur?

Shqipëria në fakt është përvetësuar. Oligarkia i ka ndarë mes vedi copat e këtij vendi. Si peshqit në një rezervuar të tharë, punonjës shteti të ndershëm e sipërmarrës të ndershëm mezi ngopen me frymë në llumin e paktë që i kanë lënë skafet. Pra ka mbetur pashai me ushtarët, kanë mbetur idealistët, kanë mbetur ata që po bëhen gati të ikin, kanë mbetur edhe budallenjtë, që as e dinë dhe as duan ta dinë ç’bëhet. Me këta që kanë mbetur as që bëhet fjalë të organizohet përmbysje e së keqes. Aq më keq që politika ( pjesë integrale e pashallëkut të skafeve ) i sjell vërdallë për hunde duke i hutuar dhe ngopur me përralla ).

Atëhere?

Veç një forcë madhore e bën. E kam fjalën nga jashtë. Përndryshe, para Shqipërisë,  Kolumbia a Meksika do ngjajnë si Vatikani. Një “Meksikë” e “Kolumbi” në dyer të BE? I shërben shumë atyre që po realizojnë dobësimin e Europës së Bashkuar. Kjo është në fakt ajo që po ndodh. Pra edhe nga jashtë sikur nuk shoh ndonjë shenjë.

Ndërkohë, pashallëku i skafistëve dukshëm po zhduk biznesin e ndershëm, pasi ka zhdukur ndershmërinë dhe profesionalizmin në shtet dhe , po dritën për diell, po shton armatat e emigrantëve që ikin nga vendi dhe armatat e skllevërve me ata që po rrijnë.

Zjarr Tv Ad