Në fushë dhe jashtë saj, situata nuk është aspak pozitive te Juventus.Në një kohë që “Zonja e Vjetër” dhe Andrea Pirlo janë vendosur në qendër të kritikave, Paulo Dybala është kthyer në një tjetër peshë të rëndë, që kampionët italianë duhet ta shkarkojnë shpejt. Sulmuesi argjentinas ka humbur shkëlqimin në një skuadër gjithmonë e më shumë të varur nga Cristiano Ronaldo. Por edhe kur CR7 nuk është në fushë, ai ka dështuar të marrë rolin e liderit.
Si pasojë, nëse kishin një fije dyshimi nëse duhet ose jo të plotësonin kërkesat e larta financiare të Dybala, tashmë drjtuesit juventinë janë të bindur që jo. Sulmuesi pretendon 15 milion euro në sezon, pra dyfishin e asaj që fiton nga kontrata aktuale.
Por paraqitjet zhgënjyese nuk e ndihmojnë të justifikojë këtë shifër. Në këtë moment rinovimi i Dybala duket i pamundur, ndërsa merr kuota shitja e tij që në janar. Real Madrid dhe Barcelona e ndjekin prej kohësh argjentinasin, por edhe në këtë rast Juventus është i detyruar të bëjë skonto. Aktualisht, “Zonja e Vjetër” e vlerëson Paulo Dybala 100 milion euro, por dy klubet e La Liga nuk shkojnë më shumë se 70 milion euro.