Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj iu përgjigj sot kritikave për Bordin e Karburanteve për të cilin PD ka bërë kërkesë për shkrirjen e tij në Gjykatën Kushtetuese.
Ibrahimaj u shpreh se bordet kanë zbatuar aktin normativ për të përllogaritur çmimin e karburanteve në bazë të kostos në bursë të produkteve të rafinuara. Ajo u shpreh se që kur është ngritur bordi, kompanitë e hidrokarbureve në vendin tonë kanë regjistruar fitime më të ulëta.
“Unë e them me përgjegjësi dhe bindje të plotë që bordet kanë zbatuar aktin normativ që parashikon formulën e përllogaritjes së çmimeve në çdo rast. Çmimi ndryshon në bazë të bursës për çmimin e naftës ë rafinuar dhe jo bruto.
Kam bindje të bazuar në shifra që marzhet e fitimit të kompanive të hidrokarbureve janë ndjeshëm më të ulëta se ato të një viti më parë, që nga ngritja e bordeve. Që do të thotë që për sa kohë çmimet e karburanteve do të jenë mbi mesatare ne do të fillojmë të mbajnë këtë regjim. Do të vijojmë për sa kohë të jetë e nevojshme që çmimet e karburanteve të mbahen nën kontroll”, u shpreh ajo.
Ajo u pyet nga gazetarët edhe për koston e objekteve të konfiskuara nga qeveria për katet pa leje.
“Do të bazohemi në vlerën e tregut. Ende nuk kemi një vlerësim të subjekteve që do të konfiskohen pasi do të bëhen rast pas rasti. Ne nuk kemi informacion për ndërtimet pa leje por operojmë bazë të procedurave që vijnë në institucionin tonë”, deklaroi Ibrahimaj.