PD ka kërkuar edhe sot arrestimin e kreut të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Përmes një deklarate, deputeti i PD, Luciano Boci u shpreh se dëshmia sot në gjyq e njërit prej anëtarëve të bandës së Shijakut, Astrit Avdylaj, i cili u shpreh ‘Rroftë Dako, rroftë PS, aty i qaj hallet’ dëshmon se Vangjush Dako është peng i krimit.
Deputeti i PD tha se Dako duhet të ishte sot në burg për krimin e blerjes së votave nëpërmjet krimit.
Deklarata e plotë:
Deklarata në gjykatë e kreut të bandës së Avdyljave se kishte miqësi me Vangjush Dakon duhet të kishte vënë sot në alarm prokurorinë, e cila duhet të niste menjëherë hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë së Durrësit.
Vangjush Dako ka mashtruar publikisht, kur ka deklaruar se me bandën e Avdylajve ka komunikuar vetëm gjatë fushatës elektorale. E vërteta është se ai ka miqësi me bandën që bën trafik ndërkombëtar droge nga Amerika latine në Europë, e ka përdorur bandën për të blerë vota dhe më pas i ka dhënë favore nga pushteti i tij dhe i Edi Ramës.
Kreu i bandës së Avdylajve provoi sot se Vangjush Dako, është peng dhe nuk mundet ta mbajë në këmbë alibinë se ai komunikon vetëm me zgjedhësit dhe vetëm për interes të qytetarëve.
Astrit Avdylaj u provoi sot shqiptarëve se me Dakon nuk qan vetëm hallin e votave, por edhe hallin e forcave speciale, kur i vijnë në derë, qan edhe hallin e marrjes së tenderave të punëve publike në Durrës, edhe marrjen e lejeve e licencave publike, ashtu si edhe regjistrimin e paligjshëm të pronave të paluajtshme.
Edi Rama po tenton bllokimin e dosjes 339, sepse me arrestimin e Dakos zbardhet me prova ligjore denoncimi i opozitës dhe konstatimi i vëzhguesve ndërkombëtarë se zgjedhjet e 2017-s u blenë.
Skema e Edi Ramës për ta paraqitur skandalin në të cilin janë përfshirë ai dhe uzurpatori i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako si një normalitet dhe akuzat si luftë politike, nuk do të funksionojë.