PD: Rama festoi me flamurin e BE, por vlerat e saj i nëpërkëmb çdo ditë

0
6
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nënkryetari demokrat, Luçiano Boçi reagoi nga selia blu për qëndrimet skandaloze të kryeministrit Edi Rama për hapjen e negociatave. Boçi tha se Rama festoi me flamurin e BE-së, ndërsa vlerat e saj i nëpërkëmb çdo ditë.

“PD garanton shqiptarët se do jetë ajo lokomotivë e procesit të anëtarësimit,” tha Boçi.

DEKLARATA E PLOTE

“Edi Rama u kthye nga Brukseli dhe nxori orkestrën në rrugë për të festuar një datë që ka 10 vjet që e mban peng. Festoi siç e ka zakon, edhe para katër vjetësh, me dekorata, shampanjë dhe fishekzjarrë hapjen e negociatave duke i gënjyer shqiptarët sy për sy, se negociatat ishin hapur. Ngriti flamurin e BE ndërkohë që vlerat e saj i nëpërkëmb çdo ditë. Mjaft të kujtoni fyerjet në adresë të përfaqësuesve të vendeve europiane kur i kritikuan amnistinë fiskale. Foli si monist për opozitën dhe e konsideroi të ndarë, duke i mbyllur sytë para bashkimit të madh popullor dhe opozitar më 7 korrik.

Partia Demokratike e ka përshëndetur dhe do ta mbështesë pa asnjë hezitim procesin e çeljes së negociatave, duke theksuar se ato i hapen Shqipërisë dhe prirjes europiane të vendit, jo qeverisë. Ne jemi partia e integrimit, e idesë së parë të tij, e nënshkrimit të MSA, paraqitjes së kërkesës për pranimin e Shqipërisë si vend anëtar ne BE, liberalizimit të vizave dhe marrjes së statusit të vendit kandidat nga Komisioni, të cilin e bllokoi Edi Rama.

Jemi partia e anëtarësimit të plotë të vendit në NATO. Si të tillë dhe si shqiptarë, duam të ju bëjmë me dije disa teza të ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare në lidhje me atë që cilësohet si ‘çelje negociatash’ dhe procesin në vijim:

-Për të filluar negociatat, vendi kandidat duhet të plotësojë vetëm kriteret politike, të tjerat duhet të përmbushen gjatë fazës së negociatave;

-Nëse vendi nuk bën progres negociata ngecin në vend;

-Çdo vend anëtar mund të kundërshtojë mbyllje ose hapjen e kapitujve të anëtarësimit;

-Secili vend anëtar mund të pengojë avancimin e negociatave, nëse nuk përmbushen kriteret e kërkuara. Reagimi i Bundestagut gjerman dje ishte i qartë në këtë pikë.

-BE nuk do të jetë thjesht vëzhguese dhe këshilluese në proceset e brendshme nga sot e tutje. Kjo do të rrisë presionin mbi qeverinë dhe do t’ia bëjë të vështirë që të mbulojë të metat dhe hilet me propagandë.

Të gjitha këto dëshmojnë se, për Edi Ramën procesi i negociatave është mision i pamundur. Partia Demokratike garanton shqiptarët se do jetë ajo lokomotivë e këtij procesi.”

Zjarr Tv Ad